"Container Art" lidh Tiranën me Torinon
Në sheshin para Muzeut Kombëtar është instaluar një kontejner, i cili përmban një vepër moderne arti. Instalacioni është pjesë e projektit "Container Art" dhe vendos një urë komunikimi mes qytetit të Tiranës dhe Torinos. Në hapësirën e kontejnerit është vendosur një instalacion i artistit Genc Shkodrani dhe nëpërmjet kamerave e kompjuterit realizohet lidhja virtuale me qendrën e Torinos, ku gjithashtu janë vendosur instalacione nga artistë italianë. Publiku dhe artistët nga të dyja sheshet mund të komunikojnë në kohë reale, duke u bërë pjesë e një eksperience të veçantë estetike. Instalacioni i artistit Genc Shkodrani titullohet "Komunikimi" dhe ka në qendër një mumie, e cila qëndron ulur para një pasqyre, apo vetvetes. Projekti italian "Container Art" është një formë e artit bashkëkohor, i cili krijon pika takimi mes artistëve dhe publikut në vende të ndryshme evropiane. "Container Art" është manifestimi i parë i këtij lloji i artit bashkëkohor. Aty do të prezantohen instilacionet, videot, skulpturat, apo pikturat e artistëve më domethënës së skenës ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Ky është një aktivitet, i cili ka lindur për të stimuluar dialogun nëpërmjet artit.