E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stili i Obamës, basketboll, not dhe biçikletë

"Presidenti? Herët ose vonë do të kalojë këtej", thotë Sonia Xhons, pas banakut të mbushur me biskota. Në muret e "Sweet Auburn Bread Company", një dyqan me prodhime brumi, vetëm pak hapa larg varrit të Martin Luter King, janë vendosur fotot e Sonias që buzëqesh në krah të Bill Klintonit, teksa ai provon gjithë qejf një kek të ëmbël, të përgatitur në shtëpi. Është e vështirë që Barak Obama të hajë gjëra të tilla me kaq shumë kalori. "Eh, është kaq i dobët, sa një herë në kaq kohë, edhe mund të hajë gjëra të tilla", tregon Sonia. Por, në fakt, Presidenti i sapozgjedhur i Amerikës, dallohet për dietën e tij ushqimore të shëndetshme: ushqime organike, çaj dhe shumë fruta. "Dikur kam lexuar se kur shkon në Çikago preferon pulë të skuqur dhe makarona me salcë, ndërsa kur është në Uashington, ha si pasanik, aragostë dhe haviar. Megjithatë, vetëm e kam dëgjuar, nuk e di nëse është e vërtetë". Haviar? Amerika e Obamës nuk është Amerika ku Xhon MekKejn dhe Sarah Palin kaluan natën e humbjes, ku mbështetësve të tij të mbledhur në "Arizona Baltimore Resort" në Feniks i ofronin shampanjë dhe haviar. Amerika e Obamës duhet të jetë e lirë, por, mbi të gjitha, e shëndetshme. Pavarësisht aleancës që "çimentoi" fitoren e tij (të rinj afro-amerikanë, latinë dhe intelektualë) me vështirësi do të gjendej një marrëveshje në restorant, në momentin e zgjedhjes së pjatave për të porositur. Nga njëra anë, 44 për qind e njerëzve me ngjyrë në mbipeshë (ku 40 për qind vdesin para kohe për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, dyfishi i të zinjve). Nga ana tjetër, amerikanët e bardhë, të diplomuar dhe të fiksuar pas formës, demokratët që nga Nju Jorku në Los Anxhelos fitojnë më shumë se 200 mijë dollarë në vit (në këtë shtresë Obama ka fituar 17 për qind të votave më shumë se Xhon Kerri në 2004-ën). Pastaj edhe hispaniko-amerikanët, që në restorantin "California Tortilla" në Uashington, shërbejnë "Chili Bama Burrito", në mënyrë Tex-Mex, por vështirë që Presidenti të shkelë ndonjëherë aty. Po ashtu, ka pak gjasa që Obama të urdhërojë përgatitjen e picave shumë herë në javë për drekë, ashtu siç bënte shpesh Bill Klintoni. "Sipas mendimit tim, ka metabolizmin e tillë, ndaj është kaq i dobët. Pastaj i kushton dhe shumë kohë aktivitetit fizik. Ky është sekreti", tregon pastiçerja Sonia. Obama është një atlet i vërtetë, si në shpirt, ashtu edhe nga fiziku. Jo më kot është anëtar i "Washington Sports Club" (këtë verë, një recepsionist në palestër që nuk e njihte, i kërkoi një dokument identifikimi). Gjashtë herë në javë, në mëngjes herët, rreth 45 minuta, ia kushton sportit. Ai vetë ka treguar për revistën "Men‘s Health" programin e tij: "Një ditë bëj shtanga, një ditë vrap. Nëse do të kisha mundësi, do të bëja 90 minuta. Më ndihmon të qartësoj mendimet dhe të largoj stresin". Por, nëse ekipi që do të ketë pranë është ende në formim e sipër, ai që do të kujdeset për gjendjen fizike të Presidentit është gati. Në Shtëpinë e Bardhë, Obama do të marrë me vete Reggie Love, një 26-vjeçar, i diplomuar në shkenca politike në "Duke University", një ish-lojtar basketbolli dhe futbolli. Modeli që pëlqen Obama është ai i një intelektuali me shpirt sportiv. Për momentin, janë të shumtë ata që pyesin nëse në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, një fushë basketbolli, një nga pasionet e Obamës, do të zëvendësojnë atë të T-Ball-it (minibejsboll) që preferonte Xhorxh Bush. Sepse edhe Presidenti që po largohet, ka famën e një adhuruesi të sportit. Vegla për t‘u ushtruar edhe në bordin e "Air Force One", por mbi të gjitha vrap, biçikletë dhe golf. Bush do të largohet nga pushteti në kohën kur popullariteti i tij është në shifrat më të ulëta, por, me vend nderi mes pesë presidentëve më në formë në historinë e Amerikës. Po Obama? Nuk ka asnjë pikë dhjami dhe është i shëndetshëm si kokrra e mollës. Është i gjatë një metër e 88 centimetra, kundrejt 1.90 të Xhorxh Uashingtonit dhe 1.92 të Linkolnit, Presidenti më i gjatë në historinë amerikane. Megjithatë, Uashington peshonte 100 kile kundrejt 80 të Barakut. Gjatë fushatës, një e përditshme ekonomike, "Wall Street Journal", i kushtoi një rëndësi çështjes së peshës së senatorit të Illinoisit. Për disa zgjedhës të pjesës jugore të vendit, Obama është shumë i dobët për të udhëhequr. Një akuzë qesharake së cilës Baraku e ndjeu për detyrë t‘i përgjigjej me fjalët: "I dobët, por i fortë". Në SHBA tani qarkullon edhe shprehja: "Më thuaj si ha, të them si ke votuar? Krahasoni hartën e rezultateve të 4 nëntorit me hartën e shëndetit të krijuar nga "Trust for America‘s health" dhe do të zbuloni se gjashtë shtete më të "shëndetshme" të Amerikës (nga Misisipi në Tenese) janë të gjithë pronë e republikanëve. Ndërsa ata më të dobëtit (nga Kolorado në Hauai), kanë votuar të gjithë për demokratët. Sonia, pastiçierja e "Sweet Auburn", që peshon rreth 120 kilogramë, ka votuar Obamën dhe shpreson që ta bëjë për vete me kekun që e përgatit vetë, e që pëlqehej aq shumë nga Bill Klintoni. "Sekreti qëndron tek ushtrimet fizike dhe të mos pish duhan", thotë duke buzëqeshur. Studimet tregojnë se në kohë krize, edhe duhanpirësit më fanatikë pinë më pak cigare në ditë. Obama hoqi dorë në 2007-ën: në kohë për recesionin e madh.

Në formë? Ja katër rregullat e Barakut

45 minuta sport

"Çdo mëngjes, më duhet të zgjedh mes gjumit dhe stërvitjes. Bëj 45 minuta sport"

Duhan? Thuajse kurrë

"Kam hequr dorë, por e ndez herë pas here. Duhet të heq dorë nga cigarja pas drekës"

Vetëm ushqim të shëndetshëm

"E kam tensionin e ulët, për këtë arsye ha shpesh, por gjëra shumë të shëndetshme"

Pak TV

"Nuk shoh shumë televizor, por nuk heq kurrë dorë nga programi im i preferuar ‘Sport Center‘".

Sport dhe shëndet

Barak Obama i kushton shumë rëndësi sportit, si një mjet i domosdoshëm për shëndet të mirë. Në verë bën not në Honolulu, në gusht. I pëlqen të bëjë pazar në Pensilvani. Është shfaqur edhe në kopertinën "Men‘s Health USA"

Fizkultura

"Një ditë shtanga, një ditë vrap, gjashtë ditë në javë. Nëse do të mundesha, do të bëja 90 minuta para se të shkoja në punë"

I dobët, por i fortë

Për disa zgjedhës në Jug të vendit, është shumë i dobët për të qeverisur. "I dobët, por i fortë", iu përgjigj ai

Të dobët dhe të shëndoshë

Janë republikanë shtetet me problemet me shëndetin. Demokratët janë më në formë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›