E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça, autonome në foto e dokumente të panjohura

Për herë të parë në qytetin e Korçës vjen e dokumentuar ajo që në vitin 1916 u quajt Krahina Autonome e Korçës. E shpallur e tillë me mbështetjen e qeverisë franceze të asaj kohe dhe ushtrisë së këtij vendi që ndodhej në qytetin e Korçës, kjo ekspozitë e hapur si një bashkëpunim mes ambasadës franceze në Tiranë, Arkivit të Shtetit Shqiptar dhe Prefekturës së Korçës, vjen për herë të parë e dokumentuar në një ekspozitë që u çel dje paradite në mjediset e Prefekturës së Korçës. Gjatë përurimit mori pjesë edhe ambasadorja franceze në Tiranë, Marise Daviet.

Në stendat e ekspozitës u paraqitën për herë të parë materiale historike, dokumente dhe fotografi, të cilat dëshmojnë çaste të rëndësishme nga shpallja e Krahinës Autonome të Korçës në dhjetor të vitit 1916. Ekspozita është një dëshmi e bashkëpunimit shqiptaro-francez të asaj kohe. Nuk ka munguar në këtë ekspozitë edhe shfaqja e dokumenteve të rëndësishme, të cilat rrëfejnë aspekte të jetës ekonomike, sociale dhe ushtarake të kohës. Korça, e cila është vlerësuar nga ambasadorja franceze në Tiranë Marise Daviet si "qytet i traditës dhe historisë", vazhdon ende të ruajë traditën frankofolëse. Në veprimtari morën pjesë studiues, historianë dhe banorë të qytetit të Korçës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›