Topi: Projekt-raporti për Shqipërinë, realist
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka lexuar pozitivisht progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Në një intervistë për “VOA”, Topika deklaruar se Shqipëria ka bërë progres. “Natyrisht, ka dhe probleme sepse po të mos kishte probleme, ne sot do të ishim me statusin e kandidatit. Pikërisht, kjo lloj marrëdhënie e monitorimit dhe e vlerësimit në nivel të demokracisë, të forcimit të shtetit ligjor, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, të çështjeve që kanë të bëjnë me politikën, kanë të bëjnë me partitë, me reformën zgjedhore, kanë të bëjnë me drejtësinë, kanë të bëjnë me korrupsionin, kanë të bëjnë me krimin e organizuar, janë të gjithë elementë që vlerësohen në mënyrë shumë realiste, tepër objektive, në mënyrë shumë profesionale, dhe mbetet që Institucionet shqiptare, politika shqiptare, partitë, institucionet e pavarura, të bëjnë një vlerësim shumë të vëmendshëm, jo vetëm specifik për linjat institucionale që ato mbulojnë, por është shumë e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e komunikimit të ndërsjelltë, që gjithçka të shkojë në mënyrë sa më të shpejtë drejt marrjes së statusit të kandidatit”, tha Topi. Lidhur me pavarësinë e institucioneve, Topi u shpreh se kjo është një beteje afatgjatë. Gjatë intervistës, Topi ka mbështetur edhe punën e Prokurores së Përgjithshme, duke u shprehur se pas kaq vitesh, në vend ka tashmë një prokurori jo politike. “Nuk mund të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, sepse po të futem në natyrën e punës së Prokurorisë, do të thosha që unë influencoj tek puna e Prokurorisë. Ky institucion ka pasur një pavarësi absolute në raportin midis Presidentit dhe Prokurorisë”,- tha ai.