E Diel, 1 Nëntor 2026

"Darka e gabuar" e Kadaresë

E rimerr Gjirokastrën që kishte lënë në "Kronikë në gur". Pas shumë vitesh i ka thirrur në kujtesë personazhet historike e reale, për t‘i bërë pjesë të një rrëfimi. Jemi në vitin 1943, në Gjirokastrën ku "bujtën" gjermanët, u përgatitën për sulm, u tërhoqën pas një flamuri të bardhë e një darke të shtruar. Kadare rrëfen një 10-vjeçar ndërrimi sistemesh, marrëdhënie mes njerëzve, copëza të jetës së përditshme, e madje deri te vdekja e Stalinit. "Darka e gabuar" është romani më i ri i shkrimtarit të njohur, i botuar nga "Onufri". Do të prezantohet në Panairin e Librit, ku Kadare do të jetë i pranishëm pasditen e së shtunës për të dhënë autografe e për të shuar kureshtjen e lexuesve. Botuesi i tij, Bujar Hudhri, tregon se gjithçka është shkruar brenda një viti dhe libri është dorëzuar vetëm para një jave në botim. Duket se këto janë kohë frymëzimi për shkrimtarin, i cili ka një tjetër roman në proces. Ndërkohë që një histori dashurie e rrëfyer prej tij, e mbyllur në një aksident, është botuar më së pari në frëngjisht, nën titullin "Aksidenti".

Një roman i ri nga Kadare vjen për lexuesin shqiptar. Ishte paramenduar që të prezantohej në Panairin e librit?

Është një rastësi e bukur që libri del në prag të panairit, por nuk ka lidhje me të. Bën pjesë në procesin normal të punës së shtëpisë botuese "Onufri" me shkrimtarin tonë të madh. "Darka e gabuar" është një libër fare i ri. Autori e ka dorëzuar për shtyp para një jave, pas disa retusheve të herëpashershme. Ndërkohë që vetëm një muaj më parë në Francë është botuar libri i tij "Aksidenti". Ne e kemi prej katër vitesh, por Kadare, për arsyet që një shkrimtar mund t‘i dijë më mirë, vendosi më së pari botimin e këtij libri në gjuhë të huaj. Ky përbën edhe rastin e parë që një roman i tij takon më parë një lexues tjetër. Ai do të përfshihet në veprën e 17-të të kolanës së shkrimtarit.

Prej sa kohësh kishte nisur Kadare ta shkruante këtë roman?

Fare pak. E ka shkruar brenda një viti. Ashtu sikurse e shënon edhe vetë, e ka nisur punën te Mali i Robit (Durrës) dhe e ka vazhduar në Lugano (Paris).

"Darka e gabuar" rikthehet në vitin 1943. Çfarë rrëfen këtë herë shkrimtari?

Ngjarja që përshkruhet në roman është e vërtetë. Kadare rreket të sqarojë një mister të ndodhur në Gjirokastrën e asaj kohe, e cila këtë herë nuk është vetëm sfondi ku ndodhin ngjarjet. Një lexues i vëmendshëm do të kujtojë që "Kronikë në gurë" përfundon me futjen e gjermanëve në Gjirokastër, sulmin ndaj pararojës së tyre, tytat që ngrihen për të goditur qytetin dhe një flamur i bardhë që nuk u pa se nga ku dhe nga kush u ngrit. Këtu e merr zanafillën romani i ri. Të gjithë e dinë që në Gjirokastër u bë një darkë, u dëgjua muzikë, u liruan pengjet e kapura nga gjermanët. Po çfarë u tha nga palët pas kësaj darke. Një ngjarje e cila sot e kësaj dite nuk është sqaruar. Me këtë mister merret Kadare, duke dhënë versionin e tij. Në skenë del sërish mjeku, i cili këtë herë quhet Gurameto, ngjarje dhe personazhe historike, komshinj të autorit, familjarë të tij të përmendur me emrat e vërtetë.

Ky roman vjen shumë vite pas "Kronikë në gurë". Nëse do të bënim një krahasim mes tyre, çfarë do të veçonim në mënyrën e trajtimit?

"Darka e fundit" bën pjesë në ata libra të rëndësishëm të Kadaresë, për të cilin jam i sigurt se do të konfirmohet krahas "Kronikë në gurë" e do të mbajë gjallë kureshtjen e publikut. Por tashmë nuk kemi një autor-rrëfyes 8-vjeçar. Lexuesi ka rastin e shkëlqyer të shohë se si do ta shkruante Kadare "Kronikë në gurë" pas 40 vjetësh. Njëkohësisht, teknika e të shkruarit është shumë më e avancuar. Diku, ashtu sikurse e ka thënë dhe vetë, Kadare edhe ka eksperimentuar, sepse i është dashur të përballojë një ngjarje të cilën e përcjell në një kohë tjetër dhe nga një tjetër gjykim. Ndonëse rrugës hasim personazhe historike, shkrimtari mban një qëndrim krejtësisht asnjanës. Mendoj se është një sprovë dhe rast për historianët se si do të mund të shkruhej historia e Shqipërisë.

Ngjarjet zhvillohen brenda një 10-vjeçari. Si vjen kjo kronikë e jetës së përditshme?

Është 10-vjeçari i parë pas mbarimit të luftës dhe hyrjes në fuqi të komunistëve. Në Shqipëri ndodhin ndryshime. Kadare bëhet zëdhënës i këtij kalimi, i marrëdhënieve mes njerëzve, një kronikë që nuk mund të gjendet as në shtypin e kohës. Gjejmë jetën e përditshme të banorëve deri në vdekjen e Stalinit, e cila ka një arsye që i mbetet lexuesit ta gjejë.

Do të përkthehet në gjuhë të huaja?

Gjatë vitit 2009 do të përkthehet në gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.

A jeni në dijeni nëse Kadare ka në proces ndonjë roman tjetër?

Është duke shkruar një tjetër roman, ndërkohë që tregime e novela të reja, po të kësaj kohe, do të përfshihen në vëllimin e nëntë të kolanës së plotë të shkrimtarit. Unë shikoj një rinim të shkrimtarit. Ndoshta botimi i kolanës me 20 vëllime dhe nevoja e riparjes së veprave mund të jetë një nga shtysat, por për këtë nuk mund të flasim me siguri.

Deri në çfarë vëllimi ka arritur botimi i kolanës?

Jemi te vëllimi i 10. Kemi bërë gjysmën e punës. Vitin që vjen do të jenë 20 vëllime, përveç veprave të reja që do të ketë rrugës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›