Conte mposht rekordin e Juventusit të Capellos

Juventusi i Antonio Contes ka zhvilluar 29 ndeshje në Serie A pa humbje, duke thyer rekordin e kaluar të skuadrës së udhëhequr nga Fabio Capello.
Bianconerët siguruan fitoren e 15-të në ligë duke mposhtur Interin 2-0 të dielën mbrëma. Me Capellon, gjatë sezonit 2005-2006, Juventus shkoi 28 ndeshje pa humbje, një më pak se skuadra aktuale e Contes, por kishte fituar më tepër pikë, 64, falë 18 fitoreve dhe 10 barazimeve.
Juventusi i Contes aktualisht ka 59 pikë, nga një takim më tepër. Ata gjenden në pozitën e dytë, katër pikë prapa liderit Milan. Nëse Juventus përfundon sezonin pa humbje, ata do të bëhen skuadra e parë që arrin një rezultat të tillë prej kur Serie A përbëhet nga 20 ekipe.