Conte në Juventus për t’ia rikthyer namin

Antonio Conte edhe zyrtarisht është emëruar trajner i Juventusit. Ish-futbollisti i ‘Bianconerëve’ do ta zëvendësojë Luigi Delnerin, i cili u shkarkua të martën paradite. Udhëheqësit e klubit italian besojnë se me Conten do t’i japin fund periudhës së zezë të viteve të fundit, e cila ishte rezultat i Calciopolit. “Dëshirojmë të fitojmë dhe dëshirojmë ta bëjmë këtë me Antonio Conten. Me të, do të rikthehemi në nivele të larta”, ka thënë presidenti klubit, Andrea Agnelli.
Conte e kishte vështirë t’i thoshte ‘JO’, Juventusit, pasi aty ndihet si në shtëpi, ngase e kaloi pjesën më të madhe të një karriere të bujshme. “Gjithmonë kam dashur të kthehem në Juventus, ishte mendimi im fiks. Për mua, ky është një rikthim në shtëpi. E falënderoj drejtorin Marotta dhe presidentin Agnelli”, ka thënë fillimisht ish trajneri i Sienës në konferencë për shtyp.
Conte ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me ‘Zonjën e Vjetër’, deri më 30 qershor 2013. Ai thotë se besoi në projektin e Juventusit, për të cilin pohon se duhet t’i kthehet nivelit në të cilin ishte më parë.
“Nëse nuk do të kishte një bazë të rëndësishme, nuk do ta zgjidhja Juven, edhe pse më lidhin shumë gjëra me këtë klub. Kam besim, e dimë të gjithë se ku duhet të jetë Juve në futbollin italian, evropian e botëror. Topin duhet ta mbajmë ne, lojën duhet ta kontrollojmë ne. Ky është mentaliteti që dua ta transmetoj. Dua një skuadër stabile, nuk dëshiroj ta shoh skuadrën prapa”, shtoi Conte, i cili pret edhe përforcime nga udhëheqësit e klubit.