E Diel, 1 Nëntor 2026

Cooper: Nuk vazhdojmë me dialog, sherri i Serbisë

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 12:36

BE ka njoftuar se delegacioni serb nuk ka qenë i gatshëm të vazhdojë sot dialogun me Prishtinën.

Ndërmjetësuesi Robert Cooper, përmes një kumtese për media, ka njoftuar për vendimin e Beogradit.

“Dialogu sot nuk është zhvilluar, sepse delegacioni serb nuk ka qenë i gatshëm të procedojë me diskutimet sot. Situata në portat doganore, në pjesën veriore të Kosovës, nuk është pjesë e dialogut e as subjekt i çfarëdo negociate të veçantë me Serbinë”, ka thënë ai.

Cooper ka shtuar se në takimin e sotshëm kishte qenë e paraparë të diskutohet për energjinë, telekomunikacionin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

“Palët po ashtu është dashur të bisedojnë edhe për implementimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura gjatë dialogut në Bruksel”, ka thënë Cooper.

Sipas tij, dialogu do të vazhdojë kur pala serbe të jetë e gatshme për t’u riorganizuar.

“Qëllimi i procesit mbetet diskutimi i çështjeve që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve dhe sjelljen e palëve më afër BE’së”, ka thënë Cooper, përmes një kumtese për media.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›