E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e Turizmit

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 23:30

Për herë të parë në Prishtinë u shënua Dita Botërore e Turizmit, e organizuar nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës. Të pranishmit vlerësuan se qëllimi kryesor i Ditës Botërore të Turizmit është të promovojë vetëdijen në mesin e komuniteteve në tërë botën, për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e saj kulturore, politike, ekonomike dhe sociale.

Në shënimin e kësaj dite u bë e qartë që sa më shpejtë edhe Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate, ndërsa 25 ofrues të turizmit vendor, prezantuan destinacionet turistike në vend dhe rajon.
Baki Hoti, drejtues i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, tha se Dita Botërore e Turizmit ka një zanafillë që nga viti 1980.

“Ky është aktiviteti i parë i këtij lloji, i cili mbahet në Kosovë. Me rastin e kësaj dite, ku në mënyrë simbolike po e shënojmë këtë datë të rëndësishme krahas gjitha vendeve botërore. Dita botërore e turizmit ka një zanafillë nga viti 1980. Në seancën e tretë të mbajtur në Spanjë në shtator të vitit 1979, Asambleja e Përgjithshme Botërore e Turizmit, vendosi për organizimin e Ditës Botërore të Turizmit, e cila ka bërë inaugurimin e saj me 1980”, tha ai.

Hoti gjithashtu tha se qëllimi kryesor i Ditës Botërore të Turizmit është që të promovojë vetëdije në mesin e komuniteteve në tërë botën, për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e saj kulturore, politike, ekonomike dhe sociale.

“Tema e këtij viti është festimi i rolit të turizmit në bashkëpunim me kulturën përmes udhëtimeve. Nga miliona njerëz që udhëtojnë nëpër botë në vit, si asnjëherë më parë nuk ka pasur që kanë qenë në vende të ndryshme, duke ekspozuar kështu kultura të ndryshme. Shpresojmë që një ditë edhe Kosova të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Turizmit”, tha ai.

Për infrastrukturën ligjore sa i përket çështjes së turizmit, foli Hysen Sogojeva, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i cili tha se sektori i turizmit në Kosovë ka shumë problem.

“Ndryshimin e ligjit që jemi tani duke e ndryshuar, e që jam edhe kryesues i atij grupi punues, ku i kam thirr të gjithë akterët që kanë të bëjnë me turizëm, duke i përfshirë edhe shoqatat, disa u janë përgjigj ftesave, subjektet hoteliere, përfaqësues të agjencioneve turistike, që drejtpërdrejti me dhënë kontributin, që implementimi i atij ligji nëpërmjet udhëzimit administrativ, me qenë i favorshëm për të gjithë”, tha ai.

Albert Mirdita, ekspert i turizmit, foli për rëndësinë e Turizmit në përgjithësi , e sidomos për turizmin fetar dhe religjioz, ku sipas tij Ballkani, duke e përfshirë edhe vendin tonë, është çerdhe e civilizimit dhe turizmit.

“Edhe ne jemi në industrinë e turizmit, po ende nuk jemi të njohur nga Organizata Botërore e Turizmit, e kam marr një temë atë çka s’mundet askush me na e marrë, ai është turizmi fetar dhe turizmi religjioz, ne duhet të luftojmë me atë çka e kemi, e jo me atë që s’e kemi, ajo është trashëgimi kulturore historike, sepse i gjithë civilizimi sipas një ideje, timen ka filluar në Ballkan. Turizmi fetar apo religjioz, që bëhet në emër të zotave, turizmi si degë e ekonomisë është relativisht llogaritet që formalisht në nivelit ndërkombëtar”, tha Mirdita.

Dita Botërore e Turizmit festohet më 27 shtator çdo vit, përmes ngjarjeve të ndryshme në vende të zgjedhura nga Asambleja e Përgjithshme, me rekomandimin e këshillit ekzekutiv të organizatës botërore të turizmit. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›