E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cooper ne Prishtine bisedimet me 2 shtator

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbine zhvilloi sot nje takim me ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian, Robert Cooper, me të cilin bisedoi për vazhdimin e dialogut, që ishte ndërprerë për shkak të mosgatishmërisë së palës serbe për të njohur vulat e doganave të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua për axhendën e dialogut si dhe u ra në dakord që në takimin e radhës në Bruksel që do të mbahet me 2 shtator, do të diskutohen çështjet e tregtisë së lirë, përkatësisht njohja e vulave të doganave të Kosovës, çështja e telekomunikacionit, energjisë, kthimi dokumenteve kadastrale si dhe bashkëpunimi rajonal.

Zëvendëskryeministrja Tahiri siguroi ndërmjetësin e BE-së se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që përmes dialogut të zgjidhen çështjet praktike me Serbinë, duke respektuar Kushtetutën, Ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sikurse gjatë gjithë procesit të deritanishëm, pala e Kosovës mbetet një palë konstruktive në dialogun teknik duke kontribuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal si standarde tejet të rëndësishme për integrimin evropian të Kosovës.

Palët u pajtuan se dialogu në Bruksel është në funksion të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale, si dhe në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për të dyja shtetet.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e martë , 30 gusht 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›