E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Corriere della Serra": Përfundon ëndrra shqiptare e Dritanit

Vdekja e Dritanit, mynxyrë e dyfishtë

Vdekja e papritur e Dritan Hoxhës qe një mynxyrë e dyfishtë. Para së gjithash për familjen e tij të ngushtë, për nënën e dhembshur, për bashkëshorten e shtrenjtë, për fëmijët e dashur, por edhe për familjen e tij të madhe - për bashkëpunëtorët e tij të afërt, për dashamirësit e tij të shumtë dhe për opinionin e gjerë publik. Veç kësaj, ajo qe një mynxyrë edhe për shoqërinë shqiptare, sidomos për njerëzit që besojnë se fuqia motore që shtyn përpara demokracinë është liria e fjalës. Dritan Hoxha besoj se do të mbetet një yll, që me përkushtimin e tij ndaj fjalës së lirë do të ndrisë edhe në të ardhmen. Ai e pati në vorbullën e këtyre viteve fjalën e fuqishme të lirë si Verbin e punës së tij të përditshme. Unë kam besim që me vdekjen e tij të parakohshme, ky Verb të mos dobësohet dhe sa më pak të shuhet.

Dritan Hoxha ishte padyshim një pionier i medias, një ofiçinë që krijonte një larmi trajtash në shërbim të fjalës së lirë, të cilën e vlerësoi si një pushtet të katërt me dinjitet dhe jo si një shkarravinë që e përbalt fjalën e lirë.

Kristo Frashëri

Tani, mik edhe i arbëreshëve

Jemi njoftuar për lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Presidentit Dritan Hoxha, i cili falë televizionit "Top Channel" dhe grupit "Top Media" ka sjellë Shqipërinë në Piana degli albanesi (bashki arbëreshe), duke e bërë të njohur komunitetin tonë në të gjithë botën. Piana, me të gjithë qytetarët e saj, është pranë dhimbjes së familjes së tij.

Kryetari i Bashkisë

Piana degli albanesi

Gaetano Caramanno

... na edukoi në gjuhën amtare

E nderuara familja Hoxha!

I nderuar staf i "Top Media"-s!

Me keqardhje të thellë, ne shqiptarët e Ukrainës, nëpërmjet kanalit të vetëm që kemi mundësi të përcjellim në gjuhën shqipe, mësuam për ndarjen e parakohshme nga jeta të të dashurit tuaj dhe promotorit të pashtershëm z. Dritan Hoxha, njeriut që me punën e tij të pandalur i dha një mundësi të munguar prej shumë kohësh edukimit të fëmijëve tanë në gjuhën amtare.

Me humbjen e z. Hoxha, familja humbi njeriun e tyre më të shtrenjtë, ndërsa "Top Media" themeluesin dhe nxitësin vizionar të saj. Ndaj me Ju dhimbjen e thellë në këto momente tepër të vështira, duke ju shprehur në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë shqiptarëve të Ukrainës ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë,

Viktor Stamat

Kryetari i shoqatës së shqiptarëve të Ukrainës "Iliria"

Legjendë e gjallë e historisë mediatike

Me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë mësuam lajmin për aksidentin tragjik, që shoi jetën e Presidentit të "Top Media"-s, z. Dritan Hoxha.

Ne, shqiptarët e kësaj ane, ndiejmë keqardhjen dhe dhimbjen së bashku me familjarët e Dritanit, duke e ditur se humbja e Tanit, në vlugun e krijimtarisë së tij mediatike, do na kushtojë shumë, e sidomos "Top Media"-s, e cila për ne, por besoj edhe për të gjithë shqiptarët kudo në botë, hapi një dritare nga ku mundnim të shikonim, të dëgjonim dhe të mësonim për përditshmërinë tonë shqiptare.

Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët, nga kjo vdekje, humbën kreatorin dhe moderatorin e vlerave më moderne dhe më të sofistikuara të medias elektronike. Për ne, Tani i Top-it mbetet legjendë e gjallë e historisë mediatike moderne.

Riza Halimi

Preshevë

Njeriu që e maste kohën me mëngjese

E pabesueshme! Ai e donte jetën për të punuar, për të garuar drejt së paarrirës dhe sigurisht, gjithmonë për të fituar. Jeta e tij ishte aq e vrullshme dhe e suksesshme, saqë ajo nuk matej me vite e muaj, por me orë e sekonda. Dhe sekondat ia rrëmbyen jetën, në mëngjesin e së "premtes së zezë", më 23 maj 2008...

Dritan Hoxha, për shtatë vjet, arriti të themelonte "Top Media"-n, me njohje dhe simpati në gjithë botën shqiptare, duke i dhënë kështu një fytyrë moderne bashkëkohore pasqyrimit mediatik kombëtar. Që nga kanali televiziv "Top Channel" e "Top Albania Radio", e deri te shtypi i shkruar, "industria e tij mediatike" funksiononte suksesshëm, me punën, mendimin dhe pasionin e rreth njëmijë punonjësve, specialistëve elektronikë e publicistëve,

mjeshtër të fjalës. "Top Media" me President Dritan Hoxhën, inxhinierin pasionant, të zgjuar e të palodhur, u bë pjesë dhe pasqyrë e jetës qytetare shqiptare, e shtypit të lirë dhe të emancipuar, një ansambël audiviziv i kërkuar nga të gjithë... Njëherësh, "Top Media", me teknologjinë e re dhe moderne, si dhe zotësinë profesionale e intelektuale, u dha "pasaportën e qytetarisë" miliona shqiptarëve të kudondodhur jashtë Shqipërisë, duke i shërbyer kështu, ngritjes së mëtejshme të vlerave kulturore e atdhetare, e mbajtjes ndezur të kujtesës sonë kombëtare!

Dritan Hoxha do mbetet përherë një model i ecjes para kohës, një "marathonomak" i progresit kulturor, i cili doli nga cikli kalendarik i viteve, për të mbetur gjithmonë: për nënën - djalë i ri, për gruan, tri vajzat dhe djalin - shok e prind i paplakur kurrë; për miqtë dhe shokët - mik e shok që e maste punën me mëngjese!

Në emër të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë "Drita" dhe Revistës "Pelegrin"

Nase Jani- Athinë, Iliriana Sulkuqi - Nju Jork, Kolec Traboini- Boston, Vasil Qesari - Bordo, Fatmir Terziu,- Londër, Ardi Stefa - Athinë

Ngushëllim

Pranoni ngushëllimet e stafit të RTV "Aldit" për humbjen e drejtuesit të "Top Media"-s, z. Dritan Hoxha. Kjo nuk është humbje vetëm e kompanisë suaj, por humbje e madhe edhe e jona.

RTV "Aldi", Preshevë

E nderuara familje Hoxha!

Të nderuar pjesëtarë të stafit të "Top Media"-s!

Në emër të stafit të institucionit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve publikë, si edhe të familjeve tona, Ju lutemi të pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e birit, bashkëshortit, babait dhe drejtuesit Tuaj, z. Dritan Hoxha.

Largimi tragjik dhe i parakohshëm i Tanit të "Top"-it ishte tronditës për mua, dhe, pavarësisht se isha shumë larg Shqipërisë, në ato momente jam ndjerë shumë afër me dhimbjen e njerëzve të Tij më të dashur. "Top Media" ka qenë dhe do të mbetet një mirëkuptuese dhe mbështetëse e punës së rëndësishme që kryen institucioni ynë. Ishte pikërisht vizionari z. Hoxha që e mbështeti së bashku me ekipin e tij perceptimin e ri të investigimit, të ofrimit të bashkëpunimit, si edhe të ekspozimit të rasteve të aferave korruptive nga funksionarë të ndryshëm publikë. Ishte kjo këmbëngulje që ndërgjegjësoi të gjitha palët në veprime të drejta dhe objektive, duke i dhënë kështu një panoramë të mbështetur edhe në një kuadër ligjor nga institucioni ynë.

Ai ka lënë gjurmë të thella në zhvillimin publik shqiptar dhe sigurisht që do të mbetet një kujtesë shumë pozitive në risitë krejt të veçanta të prezantuara qartë, brenda e jashtë vendit, si një media me virtyte krenarie dhe patriotizmi shqiptar. Media Juaj, si edhe gjithë populli shqiptar ndihet krenare që ka ekzistuar një person si Tani dhe që ka vendosur gjurmë të thella në zhvillimin mediatik e publik shqiptar.

Shumë sinqerisht, Ju përcjell në emër tim personal dhe të të gjithë stafit edhe një herë ngushëllime dhe, në respekt të kujtimit të Tij, shpresojmë se, me anë të profesionalizmit të stafit të "Top Media"-s, bashkëpunimi me institucionin tonë do të japë gjithnjë rezultate pozitive, në interesin më të lartë publik shqiptar.

Sinqerisht,

Inspektori i Përgjithshëm

Fatmira Laska

Përfundon ëndrra shqiptare e Dritanit

Kishte lënë Shqipërinë si klandestin, në bordin e një prej shumë barkave që shkonin drejt tokës së premtuar. 17 vjet më pas, vdes në Tiranë, duke u përplasur me një pemë, me "Ferrarin" e tij "Testarossa", i vetmi në Shqipëri. Dritan Hoxha, që nga të gjithë njihej si Tani, nuk kishte mbushur ende 40 vjeç, por ishte shndërruar në "Murdokun" shqiptar, krijues i një perandorie mediatike që përfshin televizionin dhe radion më të ndjekur në Shqipëri, por edhe kanale të shumta dixhitale. "Ishte një gjeni, një inovator, ka sjellë teknologjinë më përparimtare në Shqipëri, madje edhe shumë më përpara se vendet e tjera evropiane. Ne që jemi gjithnjë të fundit, me të jemi ndjerë të parët. Për ne, ai ishte ‘drita‘ e vërtetë, ashtu siç kishte edhe emrin", rrëfen Ismet Drishti, që për disa vite ka drejtuar një program të frymëzuar nga "Scherzi a parte". "Ka dëshmuar se edhe këtu te ne mund të bëhen gjëra të mëdha, ka krijuar një Shqipëri të madhe, të gjithë shqiptarët e botës mund të shohin kanalet dixhitale", thotë Altin Kreka, kryeredaktor i lajmeve. Ndërsa Saimir Kodra, prezantuesi i emisionit ‘Fiks Fare‘, ‘Striscia la notizia‘ me shije shqiptare, programi më i ndjekur thotë: "Motoja e tij ishte: dorë të lirë, duhet të jemi një opozitë e vërtetë, të merremi me problemet e njerëzve". Në frontin teknologjik, Dritani nuk ndalej. Ishte një njeri që kërkonte gjithnjë më shumë. Kur kishte qenë fëmijë, ndërtonte antena artizanale për të parë kanalet italiane, duke ia dalë mbanë kështu të shkelte ndalimet e diktaturës së Enver Hoxhës.

Më pas niset larg: ishte marsi i 1991-it, viti i eksodit të madh, simbol i ndarjes nga e shkuara komuniste. Zbarkon në Itali dhe punon në Sondrio, në një shoqëri lojërash elektronike. Një vit më vonë, kthehet në atdhe, plot me projekte, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët ende edhe sot jetojnë në Romë. Fillimisht, ekspresi i shijuar në baret italiane: nën regjimin e Hoxhës kishte pasur vetëm kafe turke. Intuita e tij? Të furnizohen falas baret me aparate ekspresi, duke kërkuar që në këmbim të blinin kafenë e tij. Dritani, shumë shpejt ia del të kontrollojë 70 për qind të tregut. Fitonte shumë dhe investoi për vite të tëra. Kur në 1997-ën shpërthen skandali i "piramidave" që lejoi shumëkënd të pasurohej në kurriz të kursimtarëve, ai ecën kundër rrymës, importon kafe kokërr, që e përpunon dhe e etiketon si produkt shqiptar. E ndërsa vendi ishte në prag të luftës civile, rifillon edhe një herë fluksi i emigrantëve, por këtë radhë, Dritani zgjedh të qëndrojë. Me liberalizimin e transmetuesve privatë, hap "Top Albania Radio"-n, bazuar mbi modelin e radios italiane RDS. Më pas, vjen televizioni plot risi, tematika, dixhitali tokësor dhe satelitor, madje edhe në telefon. Dritani planifikonte tani edhe të kabllonte Shqipërinë në fibër optike, por këtë radhë, nuk mundi.

Marrë me shkurtime nga "Corriere della Serre"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›