E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te clirosh drejtesine nga Berisha

Skllavërimi i drejtësisë nga politika mbetet një dukuri e përgjithshme, ndërsa veprimi i saj i pavarur është një përjashtim. Te ky kancer, te zgjatimi dhe përhapja këmbëngulëse e metastazave të politikës mbi trupin e pushtetit të drejtësisë, duhet kërkuar gjendja e mjeruar e punëve të shtetit shqiptar, korrupsioni dhe krimi në nivele katastrofike e të pandëshkuara. Por, ndërsa shumica e qytetarëve vuajnë privacione të mëdha nga mungesa e drejtësisë (humbasin pronën, punën e deri edhe jetën), reformimi i drejtësisë i është besuar pikërisht asaj klase politike dhe në radhë të parë ca liderëve të saj që po pasurohen me ritme galopante, pikërisht në sajë të mungesës së drejtësisë si sundim i tyre mbi drejtësinë.

Paradokset nuk kanë fund. Ai që bërtet sot më shumë për luftën kundër korrupsionit është Kryeministri Berisha, auoritaristi që ka dhënë kontributin më të madh për zhvillimin e një prej formave më të rrezikshme të korruptimit të drejtësisë, për skllavërimin e saj nga politika. Kjo skllavëri është një ndër shkaqet kryesore për akumulimin në këto 18 vjet tranzicion, të një mali me krime dhe korrupsion të pandëshkuar. Pikërisht ky politikan, që u bë i shquar në fillimet e tranzicionit për keqpërdorimin e prokurorëve dhe gjykatësve si vegla për të burgosur, shantazhuar dhe persekutuar kundërshtarët politikë dhe gazetarët, sot shfaqet si udhëheqës i "reformës" në drejtësi. Por a mund të besohet t‘i japë liri drejtësisë pikërisht ai që sundimin mbi të e ka pasur dhe e ka një nga armët më të preferuara në strategjinë e tij të sundimit mbi shtet?

Ndërkaq, duhet thënë se orekset e tij nuk do të ishin kaq të rrezikshme, nëse vetë prokurorët, gjykatësit dhe juristët në Shqipëri, nuk do të kishin një prirje të përgjithshme për t‘iu vetënënshtruar politikës, për t‘u shërbyer strategjive të saj, që jo gjithnjë përputhen me të drejtën. Eshtë ky vetënënshtrim, i rrënjosur dhe mbetur si traditë e regjimeve autoritare dhe diktatoriale në Shqipëri, që po rrënon ato barriera që Kushtetuta ka ngritur mes pushtetit të drejtësisë dhe politikës. Eshtë edhe përulja e juristëve, prokurorëve, gjykatësve, që i jep politikës një pushtet shkatërrues për drejtësinë e vërtetë. Krejt ndryshe nga përvoja e themelimit të demokracive perëndimore, ku juristët kanë qëndruar përballë politikës si një klasë më vete që impononte frymën e ligjit, në Shqipëri juristët po i binden në shumicë politikës në vend që të bindin politikën, po detyrohen nga politika të braktisin drejtësinë, në vend që të detyrojnë politikën t‘i nënshtrohet ligjit dhe drejtësisë. Dhe çlirimi i drejtësisë nga kapja e politikës është thelbi i reformës në drejtësi.

***

Atentati që shkaktoi vdekjen e Azem Hajdarit ishte një ngjarje tronditëse, që u pasua nga ngjarje edhe më tronditëse. Tashmë është evidente se Sali Berisha, atëherë në opozitë, u përpoq ta përdorë këtë tragjedi, për të organizuar me fanatikë të tij, një grusht shteti të armatosur mbi Kryeministri. Fakti që më pas, atij, si kryeorganizatori i një grushti shteti të dështuar, nuk i hyri gjemb në këmbë, është një ilustrim shumë elokuent i mposhtjes së drejtësisë nga politika. Bota e politikës (dhe jo vetëm ajo shqiptare, por edhe ajo që u përket ca qarqeve perëndimore) e bëri drejtësinë të heshtë. Dhe sikundër thotë Niçe, ajo që nuk të mposht të bën më të fortë. Dhe pas kësaj Berisha është bërë edhe më i fortë kundër drejtësisë. Sot ai po akuzohet në media se ka bllokuar deri edhe hetimet për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në fakt, një nga premtimet e Berishës kur ishte në opozitë.

Në një të përditshme shqiptare sapo është botuar një intervistë e hetuesit të ngarkuar me çështjen Hajdari. Ky prokuror, ankohet se Berisha nuk po e mban fjalën e dhënë. Por prisni një minutë! A nuk ju duket e habitshme që ecuria ose jo e një hetimi të jetë rrjedhojë e vullnetit të një politikani, qoftë ky edhe Kryeministër? Një pohim i tillë, është treguesi më alarmant se ka marrë fund shteti i së drejtës. Sepse, nëse prokurorët nuk janë të lirë të përparojnë me hetime, për shkak të vullnetit pengues të Kryeministrit apo kujtdo tjetër, në shtet nuk mund të ketë drejtësi. Dhe në fakt ne kemi vite që po prekim dhe vuajmë mungesën e drejtësisë? Ne po shohim se po për shkak të barrierave politike, hetimet e Gërdecit që rrezikojnë të implikojnë familjen e Kryeministrit dhe vetë Berishën, po zvarriten me ritmet e breshkës. E njëjta zvarritje vërehet edhe në hetimet për dhunimin e ligjit në procedurat e tenderimit të rrugës Rrëshen-Kalimash.

Dhe sfond i gjithë kësaj skllavërie me brirë, bëhen premtimet e Berishës për reformën në drejtësi, e cila është, në thelb, çlirimi i pushtetit të drejtësisë nga vargonjtë e pushtetit politik, që sot i mban në grusht Berisha! Çfarë tallje me reformën! Dhe nuk do të çuditeshim aspak që një nga hapat e mëtejshëm të "reformës në drejtësi", të jetë kalimi i prokurorisë në vartësi të Kryeministrit, me qëllim "që të luftohet më mirë korrupsioni dhe krimi". Në të vërtetë, që të mos luftohet krimi dhe korrupsioni i lidhur drejtpërdrejt me klanin berishist.

***

Por intervista e botuar në gazetën në fjalë të shokon me pohimet e qarta që ilustrojnë skllavërimin e prokurorisë, madje edhe të gjykatave nga politika. Nuk duhet harruar se ato i bën një prokuror. Ai pohon, ndër të tjera, që Thimio Kondi, në atë kohë ish-ministër i Drejtësisë, të ketë influencuar, nën nxitjen e politikës, për lirimin e dy të pandehurve që akuzohen të kenë luajtur rol në vrasjen e Azem Hajdarit, pak ditë pas lirimit të tyre. Prokurori pohon se të gjithë dosjen e hetimeve për vrasjen e Hajdarit, një javë para se të dëshmonte në komisionin parlamentar të ngritur për këtë çështje, ia kishte dorëzuar edhe Berishës, në atë kohë lider i opozitës. Dhe ankohet se përse Berisha, tre vjet pas ardhjes në pushtet, nuk po e mban premtimin për hetimin deri në fund të vrasjes se "heroit të demokracisë". Duket se vetë ky prokuror nuk e kupton se çështja që shqetëson thelbin e shtetit, nuk janë aspak premtimet e pambajtura dhe shpesh absurde të Berishës.

Çështja shtrohet se deri kur do të kemi politikanë që do të betohen dhe premtojnë fushatave elektorale se do hetojnë një krim, kur kjo nuk është atribut i pushtetit të tyre, por i një pushteti tjetër? Deri kur do të kemi në shtet politikanë si Berisha, që kanë pushtet të pengojnë deri edhe ecurinë e hetimeve, që është atribut i një pushteti tjetër? Deri kur do të kemi politikanë që do të kenë pushtetin e tmerrshëm që asgjëson çdo shpresë për drejtësi, të ndikimit mbi vendimeve e gjykatave? Dhe, më në fund, deri kur do të kemi prokurorë që do të paraqiten me dosje në sqetull para një kryetari partie, duke marrë edhe udhëzime se çfarë duhet të thonë dhe nuk duhet të thonë, para një komisioni hetimor parlamentar? Pikërisht këto janë problemet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Sepse vendi dhe demokracia liberale po japin shpirt nga grumbullimi i pushteteve në një dorë, në dorën e Kryeministrit Berisha.

Dhe nëse vazhdon kështu, a mund të vihet në dyshim fundi i afërm i demokracisë liberale në Shqipëri, kur dihet që thelbi i saj, është ndarja dhe kufizimi i pushteteve? Prandaj, një reformë e vërtetë e drejtësisë nuk mund të ketë tjetër gjë për thelb të saj, vetëm se çlirimin nga pushteti i Berishës dhe i kujtdo tjetër. Thelbi i reformës në drejtësi, përmblidhet në atë që është dhe emri i dytë i drejtësisë, në fjalën liri. Ne nuk kemi drejtësi se nuk ka liri për drejtësinë. Dhe që të vijë liria, e bashkë me të edhe drejtësia, duhet që vetë juristët në radhë të parë, ta çlirojnë veten dhe drejtësinë nga vargonjtë e ndryshkur të politikës si autoritarizëm. Sepse, edhe në çështjen e drejtësisë, si në të gjitha fushat e tjera, liria nuk dhurohet nga skllavëruesit e saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›