E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë "monstrës" së Peshkopisë

Burg të përjetshëm ka kërkuar Prokuroria e Peshkopisë për Shpëtim Zizën, 19-vjeçarin që akuzohet për vrasjen dhe përdhunimin e fëmijës 10 vjeç, Bekim Çenga. Dje paradite, në Gjykatën e Peshkopisë u zhvillua seanca e radhës në ngarkim të 19-vjeçarit që njihet nga opinioni publik si "Monstra e Peshkopisë". Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 27 tetor të vitit të kaluar, kur i sëmuri mendor Ziza, rrëmbeu, dhunoi dhe i mori jetën një 10-vjeçari të pafajshëm, trupi i të cilit u gjet i masakruar katër ditë pas zhdukjes, në afërsi të shtëpisë së viktimës, në lagjen "Kamen" të qytetit të Peshkopisë. Autori i dyshuar i këtij krimi tepër të shëmtuar ka pranuar autorësinë e krimit duke dhënë versione të ndryshme për motivin që e çoi në kryerjen e tij. Vështirësia e prokurorisë në hetimin e kësaj çështjeje kishte të bënte me faktin se i akuzuari Shpëtim Ziza e pranonte krimin e kryer prej tij krejt duke buzëqeshur, pa asnjë lloj pendimi, si dhe jepte versione të ndryshme për motivet që e çuan atë drejt këtij krimit, gjë që vërtetonte ekzistencën e çrregullimeve mendore të tij. Seancat gjyqësore në ngarkim të autorit të këtij krimi kanë nisur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, në fillim të këtij muaji dhe kjo e sotmja është e katërta e radhës. Dy seanca kanë dështuar për mungesë të avokatit mbrojtës të të akuzuarit, Qazim Gjonaj. Që në seancën e parë, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Ramadan Troci, bazuar në nenin 340 të Kodit të Procedurës Penale, i është kërkuar trupit gjykues, të kryesuar nga Kastriot Selita dhe anëtarë Edmond Goga dhe Altina Nasufi, që seancat gjyqësore ndaj të pandehurit Ziza të zhvillohen me dyer të mbyllura. Kjo është argumentuar me faktin se provat dhe dëshmitë që do të shpalosen në këtë proces gjyqësor, cenojnë rëndë moralin shoqëror.

I këtij mendimi ka qenë edhe avokati mbrojtës, pasi klienti i tij është një i sëmurë mendor. Këto argumente janë pranuar nga trupi gjykues, që ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe ka vendosur që seancat gjyqësore ndaj autorit të krimit të bëhen të mbyllura. Trupi gjykues, në një nga seancat gjyqësore të radhës kërkoi nga prokurori i çështjes sjelljen e provave plotësuese për të mbështetur akuzat ndaj autorit të krimit. Në seancën e ditës së djeshme, prokurori pasi ka sjellë para trupit gjykues dosjen e plotësuar në ngarkim të të pandehurit Shpëtim Ziza ka kërkuar burg të përjetshëm për të. Mësohet se në këtë seancë gjyqësore trupi gjykues u njoh edhe me ekspertizën mjekoligjore të autorit të krimit të shëmtuar, që vërteton se ai vuante prej vitesh nga sëmundja mendore e oligofrenisë. Megjithatë, prokurori ka këmbëngulur se në momentin e kryerjes së krimit Ziza ka qenë i ndërgjegjshëm dhe ka vepruar me gjakftohtësi.

Policia është treguar e kujdesshme në eliminimin e kontakteve mes familjarëve të autorit të akuzuar të këtij krimi dhe familjarëve të viktimës. Nga burime të sigurta mësohet se familjarët e të akuzuarit Ziza kanë dëshmuar para trupit gjykues se djali i tyre nuk e ka kryer i vetëm krimin, por prapa tij ka qenë edhe një person tjetër, mendërisht i shëndetshëm.

Pas pretencës së dhënë nga prokurori i çështjes për burgim të përjetshëm, do të jetë gjykata ajo që do vendosë për masën e dënimit në seancën gjyqësore të radhës, që do të zhvillohet me datën 3 qershor. Për avokatin mbrojtës, Qazim Gjonaj, kjo seancë do të përbëjë një sfidë të vërtetë, pasi klienti i tij i cilësuar si "Monstra e Peshkopisë", do përballet me tri akuza: vrasje në rrethana të tjera cilësuese parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur parashikuar nga neni 100/2 dhe armëmbajtje pa leje të armëve luftarake neni 278/2 i Kodit Penal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›