Policia heton një grua nga Ekuadori
Një ekuadoriane me banim në Zvicër procedohet penalisht në Shqipëri. 30-vjeçarja Elena Aracely Prado Guevara po hetohet në Durrës për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve. Gruaja e re, sipas burimeve policore është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë kufitare të Durrësit teksa tentonte të kalonte kufirin në drejtim të Italisë së bashku me të birin E.O. Në kohën që bëhej gati të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari, ajo ka paraqitur pranë autoriteteve dy leje qëndrimi zvicerane, të cilat janë vënë në dyshim. Sipas burimeve zyrtare policore, lejet dyshohet të jenë të falsifikuara dhe për këtë qëllim ndaj 30-vjeçares filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve. Elena A.P. Guevara, sipas dokumentit të identifikimit ka lindur në Santo Domingo të Ekuadorit dhe banuese në Zvicër, me arsim 12 klasë, me gjendje civile beqare dhe gjendje gjyqësore të padënuar. Fakti që ekuadoriania rezulton beqare, ndërsa ishte e shoqëruar me të birin e ka bërë atë të dyshimtë para kontrollorëve të kufirit shqiptar.