E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vjet burg për ish-kreun e bashkisë

Prokuroria e Rrethit të Beratit ka kërkuar dënimin me dy vjet burg për ish-kreun e Bashkisë së Urës Vajgurore, Agim Bregu, i cili akuzohet për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Dy ditë më parë, prokurori i çështjes, Skënder Mestani ka kërkuar dënimin e Bregut me dy vjet heqje lirie me akuzat "vjedhje nëpërmjet shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim". Pas disa seancash gjyqësore, përfaqësuesi i organit të akuzës i ka kërkuar trupit gjykues cilësimin e të pandehurit të "fajshëm" për dy akuzat që rëndojnë ndaj tij që nga tetori i vitit të kaluar. Do të jetë Gjykata e Rrethit të Beratit që do të vendosë tashmë dënimin përfundimtar ndaj Agim Bregut, kryetarit të Bashkisë së Urës Vajgurore. Bregu u arrestua nga policia më 29 tetor të vitit 2007 pas një urdhri të prokurorit Xhemal Saliasi. Së bashku me Bregun u arrestuan ish-shefi i zyrës së financës, Lefter Doko, dhe ish-shefja e zyrës së urbanistikës në bashki, Afërdita Ziu, gjykimi ndaj të cilëve ende vazhdon. Ata u akuzuan nga Kisha Apostolike, për vjedhjen e një fondi që kjo kishë pagoi për blerjen e një trualli në Urën Vajgurore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›