E Shtunë, 31 Tetor 2026

TANI i TOP-it bashkoi shpirtin shqiptar

E kisha mik Tanin e "Top"-it, djalin energjik, që për sa kohë e njoha, më ka befasuar gjithmonë me idetë dhe kurajon e tij. Lajmi i keq për vdekjen e papritur të Tanit, në moshën 39-vjeçare, më shokoi dhe më la pa fjalë... ashtu siç mund të ketë mbetur çdokush që e njihte atë nga afër, apo edhe nëpërmjet punës së tij kolosale. Nuk gjenden lehtë fjalët e ngushëllimit për këtë djalë, por ajo që shumëkush e di, është se Dritan Hoxha, që me të drejtë është quajtur "manjati i medias", ishte njeriu që futi për herë të parë në Shqipëri dhe jo vetëm, transmetimet dixhitale, tokësore dhe satelitore, transmetimet në telefonin celular dhe së fundi, në teknologjinë më të përparuar HD. Dhe e di se Dritani mendonte ditë e natë se si dhe çfarë të ndryshonte për më mirë, ishte në garë të pareshtur për cilësinë dhe të renë. Përveç teknologjisë së përparuar dhe modernizimin e komunikimit që ofroi, të cilat edukuan shije dhe standarde të reja, Dritan Hoxha ka meritën e padiskutueshme, që me punën e tij bashkoi shpirtin shqiptar kudo ku jeton.

Ajo që doja të shtoja në morinë e fjalëve që janë thënë për Dritan Hoxhën, është se ai punoi shumë për çështjen kombëtare shqiptare. I njoh përpjekjet e mëdha që Dritani bëri në mënyrë që sinjali i "Top Channel" të mbërrinte edhe në Kosovë, e ku mijëra shqiptarë, në pritje të realizimit të ëndrrës së tyre shekullore, pavarësisë, mbërthyen sytë në ekranin e magjishëm të këtij televizioni.

Në ekranin e "Top Channel" kemi dëgjuar informacionin më cilësor e më të pavarur të ofruar ndonjëherë në ndonjë media shqiptare. Në ekranin e "Top Channel" kemi dëgjuar ato që kurrë nuk u thanë dot në ekrane të tjera. Besoj se të gjithë pa përjashtim, politikanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi kemi thënë në mikrofonin e "Top Channel", qoftë edhe një fjali të vetme, me shpresën se nëpërmjet sinjalit të këtij televizioni, ajo do të shkojë në shtëpinë e çdo shqiptari. Në studiot e "Top Channel" është folur vetëm shqip dhe çdo figurë shqiptare ka dhënë mendimin e vet, duke e bërë ekranin e këtij televizioni një konak "burrash", ku secili që e ndjen veten shqiptar mund të thotë fjalën e tij.

Media e Dritanit ka qenë e pranishme në Kosovë, në ditë të mëdha, të mira dhe të këqija. Televizioni "Top Channel", me përparësinë e një shtrirjeje tejet të gjerë transmetimi, ka përcjellë çdo moment të përgatitjeve për ditën e madhe të shpalljes së pavarësisë dhe gëzimin e fitores së saj, duke bërë të mundur që kjo ngjarje e madhe të përcillet anembanë botës në kohë reale.

Dritan Hoxha ishte njeriu që ekranin e televizionit të tij nuk e përdori kurrë për vete, por e hapi atë duke bashkuar aty sytë, zërat dhe shpirtin e shqiptarëve.

Dritan Hoxha, ai djalë fare i ri, por me vizionin e një njeriu të madh dhe me një intuitë të pakrahasueshme, bëri atë që politika për vite të tëra, nuk mundi ta bëjë as këtej dhe as andej kufirit. Falë këtij televizioni dhe transmetimeve cilësore të tij, Shqipëria dhe Kosova janë njohur edhe më shumë në botë, zëri ynë është dëgjuar më shumë atëherë kur duhet të dëgjohej dhe diskutimi i çështjes shqiptare në kancelaritë perëndimore është shpejtuar edhe më shumë.

Askush të mos e harrojë, se me anë të futjes së teknologjisë "DigitAlb", Dritan Hoxha ka çuar nga pak Shqipëri në shtëpinë e çdo shqiptari kudo në botë. Falë transmetimeve të filmave për fëmijë në gjuhën shqipe, fëmijët e emigrantëve nuk e harruan gjuhën e nënës, falë "DigitAlb"-it, të lodhur nga jeta në emigracion, ata, të ikurit nga vendi i tyre, mund të informohen në gjuhën amtare për atë që ndodh në Shqipëri e në botë, dhe të vënë buzën në gaz me humorin e "Portokallisë", apo satirës therëse të "Fiksit".

Të gjitha këto mbajnë firmën e Dritan Hoxhës, këtij djali të ri, që me modesti ka bërë aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarinë kudo në botë. Dhe nëse nuk e kemi kuptuar vërtet sa shumë ka bërë, uroj që këtë të mos e vërtetojë mungesa e tij…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›