Craig Venter
Magjistarët e mëdhenj ngjyrë blu të pikturuar në anijen me vela janë shenja e parë që “Sorcerer” po afrohet. Xhiroja nëpër botë e barkës me vela e angazhuar të lexojë ADN-në e organizmave mikroskopikë të detit po ecën për mrekulli. Janë mbledhur një duzinë kampionësh me ujë rreth Mesdheut, ku secili prej tyre përmban triliona krijesa të padukshme për të analizuar kodin e tyre gjenetik germë pas germe. Në bordin e “Sorcerer” ndodhet magjistari Craig Venter, shkencëtari që në maj njoftoi krijimin në laborator të formës së parë të jetës artificiale: një bakter me ADN të krijuar nga katër shishe me elementë kimikë. “Bakteri është në gjendje të mirë dhe për momentin po ‘pushon’ në një ambient ngrirës në laborator”, tregon Venter, duke qeshur nga bordi i anijes “Sorcerer”. “Në Itali dhe në Mesdhe po përpiqem të çoj përpara një projekt të ndryshëm: analizimin e ADN-së së mikroorganizmave detarë. është një punë e gjatë dhe metodike, por që na lejon të zbulojnë gjene të reja. çdo gjeni i korrespondon një funksion i ri i jetës”. Nga viti 2003 deri më sot, “Sorcerer” ka zbuluar më shumë se 5 milionë fragmente ADN-je, duke dyfishuar njohuritë tona (gjenet e njeriut janë rreth 25 mijë). Mikroorganizmat detarë, që janë në gjendje të përtypin substanca që ndotin mjedisin, të prodhojnë hidrogjen, të përthithin dyoksidin e karbonit dhe të çlirojnë metanin, do të na mësojnë marifete të reja për të reduktuar ndotjen dhe krijuar energji të pastër. “Diversiteti i jetës dhe funksioneve të saj është i mrekullueshëm dhe ne nuk njohim veçse sipërfaqen”, shpjegon Venter. “Rruga është komplekse, por kam besim se ndonjë nga gjenet e zbuluara në det do të futet një ditë në qelizën sintetike. Atëherë do të arrijmë të kemi baktere në gjendje të prodhojnë energji të pastër”. Magjistari Venter ka lindur në Salt Lake City, 64 vjet më parë. Ai ishte i pari që në vitin 2001 lexoi gjenomën humane kur drejtonte kompaninë e tij private. Ai u akuzua se “dëshironte të luante me Zotin”. Përgjigjja e tij ishte: “Por unë nuk po luaj”. Sot në bordin e anijes së tij “Sorcerer”, magjistri dëshiron të përshkojë etapat që Darvini zhvilloi në bordin e anijes “Beagle” rreth një shekull e gjysmë më parë, me një fletore të thjeshtë në dorë. Por, ndryshe nga Darvini, Venter ka në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për të lexuar brenda pak ditëve ADN-në e triliona krijesave që përfundojnë në epruvetat e barkës, 98 për qind e të cilave nuk janë studiuar kurrë më parë nga njeriu. “Një sondë hidhet në det për të mbledhur kampionët”, shpjegon mikrobiologu Jeff Hoffman, një nga shkencëtarët e “Sorcerer”. “Pompat nxjerrin nga deti 200 litra ujë. Në këtë pikë nis edhe filtrimi, një proces që zgjat 6-7 orë. Tri shtresat pasardhëse të membranave nxjerrin të gjitha qeniet e gjalla me diametër jashtëzakonisht të vogël, ose rreth 500 herë më të holla se një fije floku. “Mikroorganizmat më pas merren, mbahen në ngrirës në anije deri sa mbërrijnë në port. Aty i dërgojmë në laboratorë me akull të thatë”. Në bordin e anijes, mikrobiologia suedeze, Karolina Ininbergs, vëzhgon në mikroskop viruset dhe bakteret për të përshkruar karakteristikat e para. Në “Craig Venter Institute” në Rockville, në Maryland, hapen zarfet e ADN-së së mikroorganizmave të lexuar germë pas germe nga dhjetëra kompjuterë dy herë e gjysmë më të fuqishëm se ata që në vitin 2001 arritën të bënin leximin e gjenomës humane. Por Instituti Venter nuk ka asgjë të përbashkët me laboratorët e zakonshëm shkencorë: ai është një kapanon gjigant industrial plot ekrane dhe llogaritës, ku leximi i ADN-së bëhet në mënyrë të kompjuterizuar. “Nuk kemi sisteme të veçanta sigurie, sepse të gjitha rezultatet e kërkimeve tona janë të destinuar për publikimin në revista shkencore. Edhe qeliza jonë sintetike gjendet në një ngrirës të thjeshtë. Jashtë laboratorit nuk do të mbijetonte kurrë”. Përveç perfeksionimit të qelizës artificiale dhe leximit të ADN-së të organizmave detarë (të financuar nga fondacione private dhe Departamenti i Energjisë Amerikane), Venter po ndjek një drejtim tjetër për të prodhuar energji të pastër, duke imituar mekanizmat e përdorur nga qeniet e gjalla. Në mes të korrikut, kompania “Synthetic Genomics” e shkencëtarit amerikan dhe “Exxon Mobil” (që ka planifikuar një investim prej 600 milionë dollarësh në 5 vitet e ardhshme) përuruan “La Jolla”, në Kaliforni, një serrë eksperimentale për algat që janë në gjendje të prodhojnë lëndë djegëse biologjike. Falë mundësisë për modifikimin e ADN-së së tyre, Venter shpreson që një ditë ta bëjë sistemin aq efikas, sa të arrijë të zëvendësojë naftën. “Natyra dhe mikroorganizmat e detit janë një burim frymëzimi. Pas Italisë do të shkojmë në Greqi dhe Turqi. Pasi të kalojmë Bosforin dhe Dardanelet do të mbledhim një sërë kampionësh në Detin e Zi. Pastaj në fund të sezonit të uraganeve do të kthehemi pas, përgjatë Atlantikut”. Objektiva dhe sipërmarrje që janë pritur me skepticizëm nga shumë vetë. Të mbërrish në fund do të jetë e pamundur, nëse nuk do të ishte ndihma e një njeriu si Venter-i.
#