Spiros Mourikis
Ndryshe nga sa mund të përfytyrosh për pamjen e një instrumentisti shumë të talentuar e me nota gjenialiteti, ai është shumë i thjeshtë, madje i ndrojtur. Zakonisht mban një palë syze të errëta të firmës “Prada”, që nuk ia lejojnë depërtimin e vështrimit, por kur i heq, sytë e tij përcjellin butësi, ndrojtje dhe një çiltërsi gati fëmijënore. Krejt ndryshe nga pamja e jashtme është virtuoziteti që ai përcjell përmes instrumentit të tij të dashur, klarinetës. Kur interpreton, Spiros Mourikis ka një siguri e zotërim të tingujve që të befason, mrekullon e të bën të besosh te forca të tjera mbinatyrore që mund ta zotërojnë në ato momente. Ai jo vetëm që është tërësisht zoti i situatës, i sigurt në çdo notë dhe akord, por edhe i guximshëm, i saktë dhe i paparashikueshëm në krijimin e variacioneve dhe prurjeve të reja të një pjese të vjetër, apo tradicionale. Ata që kanë pasur mosbesim fillestar në lojën e tij, pasi e kanë parë në interpretim, kanë preferuar që gjithë befasimin e tyre ta përcjellin vetëm me forcën e një togfjalëshi të vetëm: “Ai është magjik”. Spiro, një djalosh ende i ri, vetëm 36 vjeç nga Korfuzi, e ndien veten me fat që natyra i ka dhënë një dhunti të tillë dhe i pëlqen që t’i befasojë njerëzit, veçanërisht ata që ende mund të shprehin mosbesim. “Kam qenë i qartë që në fillim për përkatësinë time ndaj klarinetës”, rrëfen ndërsa pi kafenë në një lokal në bregdetin e Sarandës. Në këtë qytet ka ardhur së bashku me të shoqen, pianiste nga Korça, për të marrë pjesë në Festivalin e Bandave Frymore. Drejtori i festivalit, z. Doko, i la nderin e interpretimit të pjesës përmbyllëse, që mrekulloi të gjithë të pranishmit. Me klarinetën, aventura e tij nuk ishte e rastësishme, pasi i ati gjithashtu e ka pasur pasion interpretimin me këtë instrument, por në rastin e Spiros, virtuoziteti dhe teknika e lartë spikatën dhe ranë në sy që hershëm dhe shumë shpejt ishulli i vogël i Korfuzit do të bëhej edhe më i vogël për talentin e madh të Spiros, i cili, megjithatë, që në moshën 13-vjeçare, arriti maksimumin që mund të pretendonte nga Korfuzi, duke u bërë pjesë e orkestrës filarmonike të tij. Por ndërsa interpretonte me kolegët, që kishin të paktën dyfishin e moshës së tij, ëndrra e tij ishte që të merrte fluturimin dhe të eksploronte të gjitha hapësirat që mund t’i ofronte një shkollim dhe përvojat e reja. “U largova nga ishulli im i dashur, me dëshirën për përvoja të reja dhe rruga e jetës më çoi fillimisht në Athinë, ku ndoqa studimet në Konservatorin e Athinës dhe më pas shkova edhe në Paris, në vitin 1995”. Por shkëputja e vërtetë nga anonimiteti erdhi në vitin 1997, kur ai fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të klarinetistëve në Odense të Danimarkës. Në fakt, kjo ishte hera e dytë që Spiros mori një çmim të parë, sepse hera e parë ishte përfundimi i studimeve në Konservatorin e Parisit, në vitin 1995. “çmimet janë vetëm pjesa e dukshme e arritjeve të klarinetistit, sepse në fakt, është ai vlerësuesi më i mirë i vetvetes. “Mendoj se jam në një fazë të artit tim, kur atë çfarë kam pasur mundësi të bëja me klarinetë si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe artistike e kam bërë. Në tërësi ekzistojnë rreth 50 pjesë të repertorit të klarinetës klasike dhe bashkëkohore, të cilat i kam interpretuar që të gjitha dhe me mjeshtëri. Tanimë nuk më mbetet veçse të gjej mënyra të ndryshme interpretimi, duke sjellë freski dhe novacion në to”. Kur e dëgjon një 36-vjeçar që të thotë se pak a shumë ka bërë më të mirën me instrumentin e vet dhe pjesët e krijuara për të, natyrshëm të vjen pyetja: po cilat janë atëherë sfidat e ardhshme të karrierës muzikore, duke qenë se përpara tij ka ende edhe shumë vite? “Interpretimi i pjesëve të vështira me klarinetë, pa dyshim që do të vazhdojë të mbetet një sfidë për mua dhe mbi të gjitha, interpretimi nën dirigjimin e mjeshtërve të mëdhenj dhe me orkestrat më prestigjioze të botës. Ndërkohë ndihmoj kompozitorët e klarinetës me këshilla për anën teknike të kompozimit dhe instrumentit. Së dyti kam edhe një synim që të merrem me dirigjim. Por sigurisht që këto do t’i tregojë e ardhmja”, thotë 36-vjeçari. Duke qenë se ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në një event artistik, ai do të dëshironte që së bashku me bashkëshorten, të jepte edhe një koncert të vërtetë në Tiranë, madje kjo është edhe një nga planet e afërta të tij. “Po, më pëlqen që të interpretoj në Tiranë, në një koncert dhe jo vetëm se kam bashkëshorten shqiptare, por e çmoj kryeqytetin shqiptar, për talentet që ka dhe jetën artistike. Ndaj një koncert në këtë kryeqytet do të ishte nder. Ndërkaq axhenda e tij muzikore, pas pushimeve të verës, është shumë e ngjeshur. Kryesisht është i përqendruar me orkestrën e Athinës, por ndërkohë është aktivizuar dhe aktivizohet në të gjitha sezonet koncertore të Orkestrës Simfonike të Odenses, Orkestrën e Konservatorit të Parisit, Orkestrën Filarmonike të Kopenhagës. Ka dhënë recitale në hollin koncertor të Athinës, në Gasteig të Mynihut, në Queen Elisabeth Hall në Londër e të tjerë. Ka pasur kënaqësinë e bashkëpunimit edhe me dirigjentin e famshëm italian, Klaudio Abado. Ndërkaq, sot, është edhe profesor i klarinetës në Konservatorin e Athinës. Po si ndihet së brendshmi, ndërsa interpreton një virtuoz si Spiros. “Kur marr klarinetën në dorë në prag të një koncerti, kam ndjesinë e ecjes në një litar të tendosur, në të cilin do të më duhet që të mbaj një ekuilibër mes anës teknike dhe asaj shpirtërore të interpretimit. Unë ndihem shumë mirë me të dyja këto anë dhe ajo që më duhet të bëj, është gjetja e një ekuilibri”. Për momentin ekuilibri i tij është puna dhe jeta familjare, si dhe ushqimi i ëndrrave për gjërat që do të dojë të arrijë ende në rrugën e tij të gjatë.
#