Credins në panik për 77 milionë euro të Rezart Taçit
Autoritetet drejtuese të Bankës Credins po marrin nën kontroll menaxhimin e kompanisë ARMO, për shkak të deficitit të krijuar nga blerësit e kësaj kompanie ndaj transfertës prej 77 milionë eurosh në emër të kësaj kompanie për blerjen e ARMO-s. Burime nga kompania ARMO bëjnë të ditur për gazetën “TemA” se produkti i quajtur virxhin po del pa faturë nga zyrat e ARMO-s dhe po shitet për të mbyllur sadopak borxhin që kjo kompani ka krijuar te Banka Credins, e cila ka autorizuar pagesën prej 77 milionë eurosh pa pasur gjendje në llogarinë bankare.
Guvernatori Ardian Fullani ndërkohë ka nisur negociatat me drejtuesit e Bankës Credins për të mbyllur skandalin ose për ta pranuar atë publikisht për shkak të vështirësisë juridike në të cilën mund të gjendet, nëse prokuroria nis hetimet.
Siç dihet, guvernatori Fullani mund të shpallet përgjegjës dhe fajtor, për shkak se nuk i ka hequr licencën Bankës Credins, e cila ka urdhëruar një pagesë prej 77 milionë eurosh të pambuluar, ndërkohë që me rregullore të Bankës Qendrore ajo s’mund të bëjë pagesa mbi 10 për qind të fondit të saj themelor.
Ministri Genc Ruli, i cili duket se është ideator i kësaj skeme mashtruese pagese, ka zgjedhur të fshihet, pasi ka rënë në rrjetën e korruptimit të Rezart Taçit. Dokumenti i bërë publik nga gazeta “TemA” ka bërë të qartë se Taçi ka blerë ARMO-n pa pasur mundësi pagese. Gjithashtu, lëvizje të dyshimta bankare me prejardhje nga Azerbajxhani në formën e pastrimit të parave apo të borxhit për Taçin flasin se ARMO-n e morën në dorë qarqe të dyshimta ruse dhe jo amerikanët, të cilët Taçi pati kurajën t’i përdorte. Një nga kompanitë e konsorciumit “Mercuria Energy Group” nuk është prononcuar, madje lë të kuptohet që është përdorur si emër. Ministri Genc Ruli duhet të bëjë publik dokumentacionin origjinal të marrjes në dorëzim të ARMO-s, a është emri “Mercuria” apo është bërë manovrim duke futur pjesëmarrës ndonjë subjekt tjetër të dyshimtë, që në bazë të ligjit nuk duhet të ndodhë, pasi nuk mund të shiten aksionet për disa vjet. Tatimet duhet të publikojnë të dhënat se ç’po ndodh aktualisht me produktin virxhin që po del nga ARMO pa faturë dhe po përdoret nga Taçi pa i paguar detyrimet shtetit.