Flamuri terrorizohet nga një klient i Rezart Taçit
Flamuri po furnizohej dje në një nga pikat e “Taçi Oil”. Që kur Rezart Taçi nuk quhet më trafikant prej atij burrit, i ka pajisur me nga një kartë që marrin karburant falas njerëzit më të rëndësishëm pas atij burrit. Madje, për të qenë i pastër në këtë punë, kartat ia ka dhënë Flamurit dhe ai ka vendosur se kush është i rëndësishëm dhe kush jo.
Dje, në një nga pikat e Taçit pa dikë që e njihte dhe e kishte skeduar si të çmendur dhe armik të atij burrit.
- Po ky Taçi, tha me vete, dhe këtij i paska dhënë kartë?! Dhe iu kujtua që ky kishte sharë njëherë atë burrin, e kishte bërë pleh. Çfarë s’i thoshte. “Flamë e kuqe”, “Gëlbazë komuniste”, “Malok”, “Shpellar”. Dhe ngatërresa ishte se këtë e-mail ia niste Genc Pollos dhe në vend që t’i mbërrinte Genc Pollos, i kishte mbërritur atij burrit.
“I dashur Genc, - thoshte. - Të pashë mbrëmë në televizor. Të dëgjoja si flisje kundër asaj flamës së kuqe. Ishe perfekt. Më dëgjo mua, perfekt. Asnjë gabim. Jam shumë i terrorizuar si ka njerëz që nuk u vjen ndot nga ajo gëlbazë komuniste, nga ai malok, nga ai shpellar...” Dhe vazhdonte më poshtë letra:
“I dashur Genc. Dhe tani më prano të lutem, për hir të përkushtimit tim, disa vërejtje... Kur flet, forcoje pak zërin, forcoje patjetër, se duhet të flasësh fort dhe qartë, ngriji sytë dhe shikoji njerëzit në sy dhe përpiqu të mos skuqesh. Nuk them si ai faqeziu që nuk skuqet kurrë, si ajo tenja, ajo murtaja e keqe, por pak më i vendosur, se duhet të ngjallësh besim. Të lutem më lër një takim të flasim më afër këto gjëra. Ma lër kur të duash, sot, nesër, pasnesër. Unë të pres. Kam pritur një jetë të tërë”.
Këtë e-mail Flamuri e kishte mësuar përmendësh, nga tmerri se ai burri e thirri dhe i kërkoi të gjente kush ishte ky plehra. Flamuri i shkretë pyeti Fahri Balliun dhe ai tha që “është njëri që ka spiunuar vëllanë. Kur mbaroi gjyqi i vëllait, - tha, - prokurori po shqiptonte dënimin.” I tha: “E. Y dënohet me dhjetë vjet burg për agjitacion.” Kur u ngrit befas E. Y.-ja tjetër. “Jo dhjetë, jo dhjetë, - i tha. - Ka dhe këto dy vjershat. S’i keni parë ju?! Shikojini mirë. 100 duhet ta dënoni.”
Pas shpjegimeve nga Fahriu, Flamuri shkoi tek ai burri. Ia tha menjëherë atij burrit, dhe ai u qetësua.
Të gjitha këto i sillte ndërmend, ndërsa makina e tij mbushej me karburant dhe ai po u lexonte rojeve të karburantit me zë të lartë shkrimin e tij për Rezart Taçin. Flamurit po i buçisnin veshët, ndërsa dëgjonte shkrimin e botuar te gazeta “Panorama” për Rezart Taçin.
“Njerëzit e mëdhenj nuk njihen nga llafet e mëdha, por nga punët e mëdha. Për shembull, kur flitet për Darvinin, ndërmend të vijnë gjenet, origjina. Kur bie fjala për Ajnshtajnin, para sysh të del relativiteti, pafundësia. Kur dëgjon për Frojdin, të kujtohen veset. Kur sheh kompjuterin, të fanepset Bill Gates etj. Mua më ka gjetur një taksirat, tek kaloj mbi autostradat që po ndërtohen në Shqipërinë ku autostradat as mund të merreshin me mend, kur hyj në ndonjë supermarket të madh, të bukur e të pastër ku gjen gjithçka, kur shoh rrugë që po asfaltohen e ura që po ngrihen, kur shoh të gjitha këto, parasysh më del Rezart Taçi. Nga ana tjetër, kur më qëllon të shoh në televizor Rezart Taçin, në mëndje më dynden hiç më pak se kamionë gjigantë, të ngarkuar rëndë që lëvizin rrugëve të Shqipërisë me shpejtësi që ua kalojnë edhe veturave; aeroporte prej betoni, qelqi dhe duralumini plot me udhëtarë dhe mallra; ura gjigante përmes malesh; tunele, ekskavatorë, grataçela, fusha të mbjella, sera, vila të pafundme.
Shkurt, për mua, si dhe sigurisht për të tjerë shqiptarë që mendjen nuk e kanë poshtë në fund të kurrizit, por lart në kokë, Rezart Taçi është simbol i kapitalistit që punon, mendon, lodhet dhe fiton dhe i kapitalizmit që funksionon për të cilin gjëja më e rëndësishme është jo thjesht dhe vetëm efikasiteti, rendimenti, por Njeriu. Ndryshe thënë, Rezart Taçi është simbol i realizuesit të pritshmërisë shekullore për një Shqipëri normale që dita-ditës po ndërtohet si gjithë Bota. Jo me kioska! Me gjigantizma! Për këtë shquhet Rezart Taçi!
..... Rezart Taçi, ky njeri me rrezatim prej Shenjtori që ndjek gjurmët e të parëve duke i ardhur Botës rrotull; nga Taçi në Starje, nga Starja në Stamboll, nga Stambolli në Uashington, nga Uashingtoni në Londër, Romë, Tokio, Melburn, për ta mbyllur në Tiranë, që punën dhe patriotizmin e ka në gjen dhe në gjak, ky të cilit punët sa më të mëdha të jenë, aq më të vogla i duken, që e ka fare të qartë se dallaveret dhe mafia nuk janë shpikur në Shqipëri, ky për të cilin Hollivudi do bëjë me qindra filma, është i pandalshëm si drita dhe i pa ndryshueshëm si shpejtësia e saj. Prandaj dhe e vërteta e Rezart Taçit është pikërisht kjo si më lart. E vërteta e Rezart Taçit është nga ato të rrallat, që sa më të dyshimta duken, aq më të vërteta janë.
Përsëri nuk bindesh, nuk beson ?!
S’ka problem. Kështu është kjo dynja’. Nuk do jesh i vetëm në mosbesimin tënd të vogëlth karshi Rezart Taçit të pafundmë. Ka e do ketë gjithmonë nga ata që nuk besojnë, jo mua e Rezart Taçin, por as Zotin.....”
Dhe vazhdonte thërriste me zë të lartë.
Flamuri ishte shtangur. Si ka mundësi, tha, që ky ka shkruar aq keq për atë burrin dhe kaq mirë për Rezart Taçin, ndërkohë që ai burri dhe Rezart Taçi tani janë miq? Çfarë s’i shkonte në mendje. Veshët po i gjëmonin nga ulërimat e tij, i cili tani po thërriste emrin e tij.
- Flamur, Flamur, o gjeni, çfarë do të bëj unë për ty, më thuaj? Sali Berisha është gjeni, është vigan, fol çfarë do nga unë...?
Dhe i ishte afruar afër, shumë afër, aq sa Flamuri ndjeu te veshi ngulmën që i dilte nga gurmazi dhe duart e tij që e filluan ta prekin gjithandej.
Iku i tmerruar në makinë duke mos i thënë asgjë. Sa hipi brenda, hapi pak xhamin dhe i tha:
- S’kam më karta për naftë, ato që kisha i dhashë. Fol me Rezart Taçin të të japë një si ato të Flamurit, i thuaj.
- Nuk dua naftë, nuk dua kartë, nuk dua tollona, nuk dua kartelë, kam nga të gjitha... dua Sali Berishën. Dëgjooooon?
Roja i karburantit kishte ngrirë i gjithi nga ulërimat dhe po shtrëngonte fort pistoletën e naftës, sikur do mbrohej nga ndonjë agresor.