Komisioni Amerikan i Helsinkit: Të shqetësuar për zgjedhjet dhe rastin “TemA”
Komisioni Amerikan i Helsinkit, një strukturë e rëndësishme e Kongresit, ka shprehur shqetësim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin tonë. Gjatë një seance dëgjimore të këtij komisioni, të quajtur “Ballkani Perëndimor: Sfidat për angazhimin amerikan dhe evropian” është ngritur dhe çështja e dëbimit të gazetës “TemA”, si një prelud i zgjedhjeve me probleme.
Kongresi, i cili u bë i famshëm për një seancë të rëndësishme dëgjimore në vitin 2004, para zgjedhjeve të vitit 2005 që sollën rotacionin e forcave politike, është mbledhur sërish për të diskutuar për rajonin tonë, në nisje të një legjislature të re.
Seanca është drejtuar nga Kongresmeni Alcee L. Hastings, demokrat nga Filadelfia, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit. Në të ishin ftuar të flisnin Lordi Paddy Ashdown, ish-Përfaqësues i Lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, Ivo Banaç, Profesor i Historisë në Universitetin e Jalës, Ivana Howards, Drejtuese e Programit për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Mbështetja Kombëtare për Demokracinë dhe James Lyon, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit.
Zgjedhjet
Ka qenë vetë bashkëkryetari i këtij Komisioni, Hastings, që ka shprehur rezervat e tij për procesin zgjedhor. Ai ka deklaruar se do vijë vetë për të vëzhguar votimet në Shqipëri, ndërsa ka shtuar se do diskutohet dhe më tej shqetësimi për zgjedhjet shqiptare.
“Kam shumë shpresë se do të jem në gjendje të shkoj si vëzhgues zgjedhor në zgjedhjet që do mbahen në Shqipëri, dhe sigurisht besoj se zoti Aderholt dhe zoti Smith, dhe unë gjithashtu, si dhe kolegët tanë që nuk janë këtu, sigurisht kryetari Cardin, kanë shprehur shqetësim të konsiderueshëm. Ne do e ngremë këtë çështje me kolegët tanë në kohë”, - tha Hastings, i cili i bëri komentet në mbyllje të seancës dëgjimore.
Hastings ka deklaruar se do të ketë dhe një tjetër seancë dëgjimore për rajonin tonë, ndërsa duhet theksuar se vëmendja e diskutimeve ka qenë mbi Bosnjën dhe Kosovën.
Çështja “TemA”
Ivana Howards, Drejtuese e Programit për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Mbështetja Kombëtare për Demokracinë, ka shprehur shqetësim në lidhje me gjendjen e medieve në rajon. Pasi ka bërë një panoramë të problemeve të medias në vendet e tjera, ajo ka përmendur Shqipërinë, ku si problem më shqetësues ka veçuar mbylljen e gazetës “TemA”.
“Përpara zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, të cilat, siç dhe e përmendët në hapjen e seancës, janë parashikuar për t’u mbajtur në verë, media është në situatë të ngjashme.
Gazeta “TemA” u dëbua së fundmi nga ambientet e saj, të marra me qeveria, dhe ndaloi printimin, pasi publikoi një raport në lidhje me aktivitetet korruptive të zyrtarëve të qeverisë.
TV News 24, kryesisht kritik me qeverinë, u penalizua me një gjobë të rëndë, për shkak se përqeshi një spot të një tjetër stacioni për kryeministrin”, - tha Howards.
Duke përmbyllur fjalën e saj, ajo ka kërkuar që anëtarët e Kongresit dhe të administratës amerikane, kurdo që të shkojnë në rajon, të takohen dhe të dalin publikisht me përfaqësuesit e medias dhe shoqërisë civile për të shtuar ndikimin e tyre në shoqëri dhe politikë.
“Dhe do të doja që t’u apeloja anëtarëve të komisionit, anëtarëve të Kongresit dhe administratës që të takojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të medieve, kur të shkojnë në vendet e Ballkanit. Këto takime do të forconin legjitimitetin e tyre, jo vetëm në sytë e elitës politike, por dhe në sytë e qytetarëve, dhe do të dërgonin një mesazh të qartë se opinioni i shoqërisë civile vlen për proceset demokratike dhe se çdo formë presioni mbi mediet është thjesht e papranueshme”, - tha Howards.
Çfarë është Komisioni i Helsinkit
Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur dhe si Komisioni i Helsinkit, është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane, e krijuar në vitin 1976 për të monitoruar dhe inkurajuar zbatimin e Aktit Final të Helsinkit dhe të tjera standarde të OSBE.
Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë nga Senati i Shteteve të Bashkuara, nëntë anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve, dhe një anëtar nga secili departament, ai i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë. Pozicioni i kryetarit dhe bashkëkryetarëve ndahen mes Dhomës dhe Senatit dhe janë me rotacion çdo dy vite, kur mblidhet Kongresi i ri.
Komisioni kontribuon për formulimin e politikave të Shteteve të Bashkuara
Sfidat e angazhimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor
Paneli i ekspertëve ndërkombëtarë i ka thënë Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, i njohur edhe si Komisioni Amerikan i Helsinkit, se SHBA duhet të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane. Pjesëmarrësit kanë tërhequr vërejtjen se rajoni përballet me sfida të ndryshme, që mund të nxisin kthim prapa, nëse Shtetet e Bashkuara nuk angazhohen në tërësi me Bashkimin Evropian për një qasje të re ndihmash në këtë drejtim.
Në takimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit, bashkëkryesuesi i këtij komisioni, Alcee L. Hastings, tha se diskutimet kishin për synim të trajtonin sfidat e angazhimit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kongresmeni Hastings, në këtë kuadër, tha se viteve të fundit një rëndësi e veçantë i është kushtuar Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë, dhe Serbisë, e cila e ka kundërshtuar atë.
“Kjo situatë, përfshirë këtu edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe Serbi, meriton një vëmendje të vazhdueshme”, - tha zoti Hastings. Ai ka ngritur edhe shqetësimet e tij për situatën e fundit në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ka përmendur edhe sfidat përballë Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë në përpjekjet e tyre për integrimet evropiane.
“Me administratën e re këtu në Uashington dhe Evropën e sotme tani është koha për t’i hedhur edhe një vështrim Ballkanit Perëndimor, duke u dhënë një shtytje të re marrëdhënieve ndërkombëtare, që do të siguronin për një afat të gjatë kohor se nuk do të ketë kthim në të kaluarën”, - tha zoti Hastings.
Dëshmitari i parë në këtë dëgjim ishte Lordi Paddy Ashdown, i cili tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet ta shfrytëzojnë shkopin e vetëm që mund të prodhojë rezultate, e ai është synimi për anëtarësim në bllokun evropian. Diskutimet e tij, zoti Ashdown i përqendroi në Bosnjë, duke thënë se me gjithë thashethemet për shtimin e grupeve paramilitare, ai është i mendimit se Bosnja nuk është në rrezik të rrëshqitjes në konflikt. Paqja është e brishtë, pranoi zoti Ashdown, por, sipas tij, rreziku më i madh për këtë vend është shndërrimi i tij në një Qipro.
“E ndarë, jofunksionale, vrimë e zezë, me korrupsion të rrënjosur, një vend të cilin nuk guxojmë ta braktisim, sepse do të ishte shumë destabilizuese, por, njëkohësisht, nuk mund ta çojmë përpara as shtetësinë e plotë të Bosnjës. Ky mendoj se është rreziku më i madh”, - tha zoti Ashdown.
Duke folur ndërkaq për interesat e Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, zoti Ashdown tha se Moska nuk ka më interesa afatgjata në Ballkan, por ajo shfrytëzon elemente të vendeve ballkanike për të bllokuar Perëndimin në fusha të tjera.
“Ata e shfrytëzojnë Kosovën për interesa më të gjera të politikës ruse dhe kështu duhet ta kuptojmë këtë”, - tha zoti Ashdown.
Dëshmitari tjetër, Ivo Banac, ligjërues i historisë në Universitetin Yale dhe kryetar i Komisionit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Kroaci, tha se, “kur flitet për situatën në Kosovë, shpesh e lavdërojmë vetveten, pa e marrë parasysh fare se ka një pakënaqësi të konsiderueshme midis sovranitetit të kufizuar dhe faktit se ky vend akoma nuk është tërësisht i integruar. Dhe, kjo është një çështje që duhet adresuar”.
Sipas tij, fakti se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën, është dëshmi që flet se urgjenca për të stabilizuar Ballkanin nuk është kuptuar në të gjitha kryeqytetet evropiane.
Zoti Banac ka kërkuar nga administrata e re amerikane të mos e injorojë Ballkanin vetëm nga fakti se ka probleme të tjera më shqetësuese në botë.
James Lyon, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, tha se me përjashtim të Kosovës, që nga viti 2001, politika amerikane karshi pjesës më të madhe të Ballkanit Perëndimor, është lënë në duart e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai është i mendimit se Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia dhe Serbia tashmë kanë mbetur prapa në procesin e integrimeve evropiane dhe se politika e joshjes duket sikur ka arritur fundin e saj.
RFE