E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet Tirana, do të vijë Berisha

Nga Tema

Autostrada Tiranë-Durrës, aksi kryesor i vendit tonë, nesër do jetë i bllokuar. Kjo për shkak se delegacioni shqiptar i pranishëm në Samitin e Strasburgut, ku Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO, do të vijë në Tiranë.

Ata do të filmohen që nga Rinasi dhe derisa të hyjnë në kryeqytet me një regji qendrore, e cila do transmetojë live për të gjithë shqiptarët që do shohin tek futen si triumfatorë në Tiranë.

Një bllokim i tillë u bë vetëm kur në vendin tonë mbërriti ish-presidenti amerikan, George Bush, për të cilin ishin të nevojshme këto masa sigurie. Nga ana tjetër, zyrtarët e administratës janë këshilluar që të presin me makina, bori dhe flamuj mbërritjen e tyre.

Bllokimi i rrugëve dhe autostradës është konfirmuar dhe nga policia që ka paralajmëruar shoferët që të mos ndjekin këto itinerare.

“Ditën e nesërme (sotme), do të ketë kufizime të qarkullimit në itineraret si vijon: në segmentin rrugor Rinas-Qafë Kashar dhe Qafë Kashar-Rinas do të ndalohet qarkullimi nga ora 12.00’ deri në orën 14.30’. Po ashtu, në vijim të festimeve për hyrjen e Shqipërisë në NATO do të ndalohet plotësisht qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; sheshin “Skënderbej” dhe sheshin “Nënë Tereza” në oraret: 17.30 deri më 22.00 të ditës së nesërme. Sa më sipër, njoftojmë qytetarët se kalimi i automjeteve dhe kthimi në segmentin rrugor Tiranë-Durrës do të kryhet nga rruga dytësore Vorë-Tiranë”, - thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, qeveria ka sqaruar ditën e djeshme se bllokimi i rrugëve kryesore të Tiranës është bërë për shkak se po bëhen përgatitjet për koncertin.

Për të prezantuar axhendën e festimeve qeveritare doli dje në konferencë për shtyp zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu.

“Gjithë kjo lëvizje në shesh është vetëm për të përfunduar përgatitjet për organizimin e eventit kryesor, të aktivitetit përshëndetës dhe festiv “Shqipëria në NATO”. Sigurisht, në këtë ngjarje, që është edhe ngjarja më e madhe për kombin shqiptar në këto ditë, besoj se do të ishte jo vetëm e pëlqyeshme, por është edhe në ndërgjegjen e gjithsecilit për të përshëndetur këtë arritje të madhe të Shqipërisë.

Nesër (sot), në orën 19.00, në këtë shesh është koncerti i madh. Sikurse e keni vërë re këto ditë, Tirana është zbukuruar për të përshëndetur pikërisht hyrjen e Shqipërisë në NATO, ka një dekor që është krejtësisht festiv”, - tha Bregu.

Ditën e djeshme qeveria kishte mundësuar për qytetarët që të ndjekin live momentin kur Shqipërisë iu dorëzua nga presidenti amerikan kopja e Traktatit të Uashingtonit. Ky moment është shoqëruar me përshëndetjen nga ushtria me goditjen e 28 topave, si një ceremonial festiv.

Bregu tha dje se i gjithë dekori po bëhet që shqiptarët të kenë arsye për te festuar. “Besoj se në këtë festë të të gjithë shqiptarëve ka arsye për të festuar të gjithë, ka arsye për t’u ndjerë të gjithë mirë dhe besoj se me këtë dekor të mirë që ka Tirana ka arsye për të gjithë ata që duan të festojnë me shumë dashamirësi për ta përdorur dhe për t’u ndjerë mirë në kryeqytetin e tyre”, - tha Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›