E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO nuk e pranon demagogjinë antiduhan

Nga Xhovani Shyti

Z. kryeministër.

Unë vazhdoj të mos besoj që në një shtet me qeverisje normale, të pandikuar prej klaneve financiare e konjukturave përfituese politike, të mund të ndodhë që t’i adresohesh publikisht kryeministrit të një vendi me fakte të pakundërshtueshme dhe strukturat që ai ka nën vartësi të heshtin. Aq më tepër të mos e vënë fare ujin në zjarr, a thua se paguhen për këtë gjë dhe jo për t’i dhënë udhë paudhësive të drejtuesve që nëpërkëmbin ligjet e shtetit. Mirëpo kjo, fatkeqësisht, ka ndodhur. Ka ndodhur dhe po ndodh, më së pari, me Institutin e Shëndetit Publik dhe auditin e MSH, që janë në vartësi administrative vertikale nga Ministria e Shëndetësisë, pjesë e kabinetit që Ju drejtoni, po ndodh edhe me “Task Force” e varur tërësisht prej jush, si dhe me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Për t'Ju argumentuar gjithë sa shpreha më sipër, po Ju sqaroj:

Kjo është letra e katërt që Ju adresoj Ju dhe me keqardhje konstatoj se deri më sot asnjëra prej problematikave të trajtuara në tri letrat e mëparshme nuk ka marrë rrugë. Edhe pse objekti mbartës i problematikës së tyre është vetëm një: Instituti i Shëndetit Publik dhe raporti i tij antiligjor me moszbatimin e ligjit 9636, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i hartuar, i dërguar me përparësi në sallën e parlamentit, miratuar nga ky i fundit me 100 % të votave, në dt. 06 nëntor 2006, dhe hyrë në fuqi në 26 majin e vitit 2007.

Dua të them me këtë se situata e abuzimit dhe e moszbatimit të këtij ligji vazhdon të jetë po ajo që kam sjellë në vëmendjen tuaj nëpërmjet botimeve të bëra në faqet e gazetës “TemA”, në dt. 18, 25 dhe 31 mars 2009, pra para hyrjes në NATO. Dhe duke qenë se që prej rreth një jave në ndjehemi të përfshirë nga fryma OTAN, detyrohem t’ua risjell shkurtimisht në vëmendje përmbajtjen e tyre:

Ndërsa në VKM me nr. 113, dt. 17.02.2007, të firmosur prej jush, përcaktohet detyrimi që Komiteti Ndërsektorial “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” duhet të mblidhet 4 herë në vit, nga muaji shkurt i vitit 2008 deri më sot ai nuk është mbledhur asnjëherë për më shumë se një vit, dhe kjo për mangësi organizative të z. Alban Ylli, i cili, duke qenë drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, sipas VKM, mban edhe postin e sekretarit të Komitetit Ndërsektorial. Aq më tepër bëhej e domosdoshme mbledhja e Komitetit Ndërsektorial, sipas detyrimit ligjor, pas tryezës së 11 shtatorit 2008, të iniciuar nga shoqata që unë drejtoj, OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë, nga e cila dolën detyra që janë kompetencë vendimmarrjeje vetëm e kësaj strukture, e cila, sikurse përcaktohet në nenin 18 të ligjit 9636: “Përgjigjet për orientimin e politikave dhe strategjisë së mbrojtjes së shëndetit të publikut nga produktet e duhanit..., për rishikimin e akteve në fuqi dhe propozimin për përmirësimin e ligjit..., për propozimin e programeve dhe të projekteve..., për orientimin e burimeve drejt programeve..., për sigurimin e bashkëpunimit me institucionet qeveritare etj”. Ky veprim i sekretarit të Komitetit Ndërsektorial nuk bën tjetër veçse injoron VKM e firmosur prej Jush, duke mos përbërë diversion, por një realitet trishtues, sikurse dhe bllokimi i ligjit antiduhan.

Në letrën e dt. 25 mars ’09, unë ngrija shqetësimin rreth faktit se ca punonjës të ISHP, të emërtuar inspektorë të shëndetit publik, përvetësojnë, çdo muaj, si pagë të dytë, nga 100 deri 120 mijë lekë për një detyrë që nuk e kryejnë. Edhe ky proces administrativ antiligjor ka për autor drejtorin e ISHP, z. Alban Ylli, me firmën e të cilit numri i përfituesve të tillë ka arritur në mbi 190 zyrtarë. Deri më sot shuma shtesë, që secili prej tyre përvetëson, përllogaritet të ketë shkuar në rreth 350 mijë USD apo 350 milionë lekë (të vjetra), një fond ky që rrjedh prej arkës së buxhetit të shtetit, pra nga xhepat e publikut dhe qeveria Juaj ia ka akorduar ISHP për të mbrojtur shëndetin e taksapaguesve, midis të tjerave edhe nga duhanpirja. Mirëpo kjo nuk ndodh, ndaj pagesa është e pameritueshme dhe klasifikohet si përvetësim antiligjor fondesh buxhetore, ngaqë askush prej këtyre punonjësve nuk e ka ushtruar dhe nuk e ushtron funksionin e inspektorit. Madje, nuk e ushtron as drejtori Ylli, as tre nëndrejtorët, as shefat e departamenteve, as ata të sektorëve etj. zyrtarë të titulluar inspektorë, të cilët, përveç pagave fikse, që variojnë nga 60 në 80 mijë lekë në muaj, marrin edhe pagën e dytë për titullimin inspektorë….

Letra ime e tretë mban datën e publikimit 31 mars ’09, pra vetëm katër ditë para hapjes së samitit të NATO-s, në të cilin vendi që Ju qeverisni do të bëhej anëtar me të drejta të plota. Në sinkron me dy shqetësimet e mëparshme, te kjo letër nga ana ime jepej fakti më sfidues, sipas të cilit dilte se politika qeverisëse e ISHP mbështetet në ideologjinë e mashtrimit dhe të demagogjisë së kalimit të situatave nëpërmjet vendimmarrjeve që kurrë nuk arrijnë të zbatohen, nëse klanet nuk shohin në to interesin e tyre përfitues, çka dhe përbën thelbin e arsyes përse ka ndodhur e njëjta gjë edhe me ligjin kundër duhanpirjes, që është viktimë e mashtrimit institucional vertikal dhe e rolit prej spektatori që luajnë strukturat kontrolluese. Sikurse theksoja në atë letër, në vendimin nr. 2 të marrë në dt. 11.02.2008, midis të tjerave, Komitetit Ndërsektorial nëpërmjet germës “j” vendosi: “Kërkoni ndihmë për të lënë duhanin, telefon 08004747 - Sektori i Abuzimit me substancat, Instituti i Shëndetit Publik”. Një vendim ky që hyri në fuqi menjëherë, por zbatimi i tij fillonte më 1 janar 2009”. Mirëpo, z. kryeministër, ka ndodhur që nga afati i përcaktuar ligjor e deri më sot kanë kaluar tre muaj dhe sensi human i këtij vendimi rezulton një lojë mashtrimi, pasi, pas rënies së numrit të asistencës, 08004747, të stampuar në rreth 14 paketa cigaresh, zëri përtej telefonit të përgjigjet tekstualisht: “Numri i AMC që keni kërkuar, nuk ekziston”. Edhe ky mashtrim i faturohet po z. Ylli, që si sekretar i Komitetit Ndërsektorial dhe drejtues i Institutit të Shëndetit Publik, nuk e ka kryer detyrën e tij. Madje-madje, në këtë Institut nuk ekziston as zyra e as personat që duhet të qëndrojnë pas këtij aparati për t’i dhënë asistencë duhanpirësve që kërkojnë të shpëtojnë nga ky ves vrasës. Një tjetër fakt ky që e përforcon edhe më shumë bindjen time se thirrjet për impenjim serioz të titullarit të këtij Instituti, si dhe politika e zbatimit të ligjit antiduhan e shpallur prej tij është vetëm demagogji. Një praktikë e spikatur kjo për metodologjinë komuniste të drejtimit, por aspak e pranueshme për atë të sistemit që duam të ndërtojmë. Aq më tepër bëhet e papranueshme pas aderimit të Shqipërisë në organizatën ushtarake të Atlantikut Verior, që do të thotë se loja me moszbatimin e ligjeve të prodhuara është si loja me zjarrin. Në këtë sens Ju bëj me dije se ligji antiduhan është në krye të listës, pasi NATO nuk e pranon demagogjinë antiduhan.

*Kryetar i shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›