E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokainë për VIP-at e Bllokut, dy në pranga

Tiranë- Dyzet doza kokainë dhe dy armë zjarri janë bllokuar mbrëmjen e së dielës nga ana e Policisë së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Weekend”. Dy persona kanë rëndë në pranga, të akuzuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Zyrtarë të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Hajredin (Robert) Sula, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë; si dhe Florian Ngjela, 33 vjeç, lindur e banues në Tiranë. “Arrestimi i tyre u realizua në afërsi të rrugës “Fortuzi” në Tiranë. Fillimisht u realizua kapja në flagrancë e Florian Ngjelës, ku pas kontrollit iu gjetën 20 doza lëndë narkotike kokainë dhe pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjetën edhe 20 doza” - bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Ndërkohë, gjatë shtrirjes në kohë të këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Hajredin (Robert) Sulës u gjetën dhe dy armë automatik model 56, armë automatike e llojit Scorpion me silenciator, 94 copë fishekë, 248 fishekë model-54, 4 krehra me fishekë model - 56. “Gjatë ecurisë së hetimit mbi këta shtetas u arrit në përfundimin se lënda narkotike e llojit kokainë shpërndahej në zona të ndryshme, kryesisht në lokalet dhe pubet e Tiranës”, - thuhet në njoftimin e policisë, ku shtohet se blihej nga klientë VIP. Mësohet se operacioni në fjalë është kryer pas informacioneve të shumta të marra në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm të këtyre personave. Pas marrjes së këtij informacioni, specialistët e anti-drogës në Policinë e Tiranës nisën menjëherë punën për dokumentimin e aktivitetit të këtyre personave. Pas verifikimeve të kryera me anë të përgjimeve ambientale dhe telefonike, është arritur të provohet se Ngjela dhe Sula ishin shpërndarës të lëndës narkotike kokainë, lëndë e cila kryesisht shpërndahej në zonën e ish-Bllokut pranë lokaleve dhe pub-eve që gjenden aty. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë linjë trafiku droge, ndërsa materialet në ngarkim të Hajredin (Robert) Sulës dhe Florian Ngjelës i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike” si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›