Çuçi: SPAK nuk mund të jetë instrumenti i vetëm për çrrënjosjen e korrupsionit

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi sot se, SPAK nuk është dhe nuk mund të jetë instrumenti i vetëm për të pasur sukses në çrrënjosjen e korrupsionit
Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Çuçi tha se, “reforma në drejtësi që kjo mazhorancë, pra PS, konceptoi, udhëhoqi, mbështeti dhe vazhdon të mbështesë jetësimin e saj është pa dyshim akti historik më i guximshëm i një force politike në funksion të të bërit Shqipërinë, një shtet real, modern dhe të respektuar botërisht”.
“Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik, qysh nga formimi i shtetit shqiptar në 1912-ës, nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë”, tha Çuçi.
Çuçi theksoi se falë kësaj reforme, Shqipëria po sheh, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë, jo vetëm politike, atë të kulturës së pandëshkueshmërisë.
Sepse, shtoi ai, “jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re, të cilën shteti shqiptar s’e ka pasur kurrë, pra krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate të Posaçme, vetëm për të adresuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, po dhe i kemi hequr vetes tashmë edhe me ndërgjegje, guxim dhe vullnet, pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave të goditjes së asaj gryke zjarri që vetë ne e krijuam”.
Çuçi theksoi se, gjithçka është bërë për fuqizimin e përpjekjes antikorrupsion të shtetit shqiptar.
“Askush nuk mund ta mohojë sot se drejtësia vepron mbi pushtetin dhe e pavarur nga pushteti politik”, tha ai.
Çuçi nënvizoi se, “drejtësia e re dhe veçanërisht SPAK, nuk është dhe nuk mund të jetë instrumenti i vetëm për të pasur sukses në çrrënjosjen e këtij fenomeni. Ato janë jetik në këtë përpjekje, të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm”.
Prandaj, vijoi ai, “që prej ditës së parë të marrjes në dorë të punëve të qeverisë nga kjo mazhorancë ka filluar dhe vazhdon pa ndërprerje reformimi dhe modernizimi i gjithanshëm i qeverisjes sepse besojmë që lufta jonë kundër korrupsionit është shtet bërja përmes sistemeve që mbrojnë qytetarin, që mbrojnë biznesin, që mbrojnë paranë publike nga ky fenomen, pra nga korrupsioni”.
/r.e/