E Enjte, 5 Nëntor 2026

Pr.rezoluta antikorrupsion, Çuçi: Drejtësia vepron e pavarur mbi pushtetin, të ecim para me reformat për integrimin

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi sot se, “në fushën e luftës kundër korrupsionit, shteti ka fituar shumë terren të humbur në vitet e asaj rrumpallës pseudo-demokratike”.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Çuçi tha se, “deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, e nuk e themi ne. Këtë e thotë vendimi shumë domethënës i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nuk çelte kurrë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë Bashkimi Europian, nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita me natën, krahasimisht me atë që ishte kur nuk i jepnin as statusin e kandidatit për BE, jo më t’i hapnin dritën jeshile të negociatave”.

Çuçi u ndal vetëm në transformimin digjital të qeverisjes.

“Shtrirja kapilare e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ngritja e sistemeve inovative të ankesave janë shembulli më domethënës për të gjithë shqiptarët i, pikërisht, ngritjes së një sistemi mbrojtjeje të atyre vetë nga virusi i korrupsionit endemik që prekte këdo, kudo, kur ne erdhëm ne qeverisje”, tha ai.

“Përgjatë gjithë spektrit të shërbimeve publike, si për qytetarët dhe për bizneset është bërë një revolucion i vërtetë në ofrimin e shërbimeve dhe fuqia e korrupsionit ka rënë në mënyrë shumë domethënëse”, theksoi ai.

Sot, vijoi Çuçi, “95% e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset kryhen nga celulari apo kompjuteri, që do të thotë konkretisht, vitin e kaluar shteti ka dhënë 13,2 milionë shërbime përmes portalit e-Albania. E thënë ndryshe, janë shmangur 13,2 milionë ecejake, qëndrime në radhë, kontakte fizike me punonjësit e shtetit të cilat deri dje ishin kontakte infektive me virusin e korrupsionit”.

“Sot po përfundon dhe epoka e zymtë “ik te ajo zyra atje, hajde tek kjo zyra këtu, shko tek zyra tjetër dhe pastaj dhe tek tjetra që të plotësosh dokumentet për të marrë një shërbim”, sepse sot dokumentet për qytetarin dhe biznesin aplikues ka filluar t’i gjenerojë vetë baza elektronike e të dhënave shtetërore ku 61 sisteme për 68% të fushave të shërbimeve e bëjnë vetë të gjithë mbledhjen e dokumenteve që deri dje qytetarët dhe bizneset duhet ta bënin duke bredhur dhe duke paguar”, tha ai.

“32 sisteme të tjera janë në fazën e përfundimit dhe të futjes në veprim dhe vitin e shkuar janë regjistruar 271 milionë veprime të bazës së dhënave për llogari të qytetarëve dhe bizneseve që përndryshe do të ishin 271 milionë dhimbje koke, siç ishin deri dje”, u shpreh Çuçi.

“E këto janë fakte dhe të vërteta, jo opinione”, nënvizoi ai.

Ai tha se ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar është moment llogaridhënie edhe për qeverinë.

Çuçi u shpreh se “pa dyshimin më të vogël, po kaq i vërtetë është edhe fakti se korrupsioni nuk është zmbrapsur deri aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë”.

E pikërisht për këtë arsye, vijoi ai, “në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë, duke i shtrënguar sot më shumë se kurrë, radhët e të treja pushteteve të  pavarura kushtetuese të Republikës sonë, në një front të vetëm”.

Ndërkohë, shtoi Çuçi “për të adresuar të vërtetat, në këtë rast ato që nuk na pëlqejnë në lidhje me praninë ende shqetësuese të korrupsionit me domosdoshmërinë e forcimit të sundimit ligjit, si dhe me nevojën e rritjes së standardit të mirëqeverisjes ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një dallge të re reformimi institucional, me përfshirjen e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese të kësaj Republike”.

“Kjo është edhe një domosdoshmëri që buron edhe nga dokumenti  i diagnozës së Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe nga të gjitha detyrat e procesit të anëtarësimit.  Të gjithë duhet ta dinë se në Bashkimin Evropian nuk do të integrohet qeveria e Shqipërisë, po shteti shqiptar si një i tërë, me legjislacionin dhe të gjithë institucionet e veta, përveç qeverisë në tryezën e negociatave të anëtarësimit janë edhe 27 institucione të pavarura që kanë detyra konkrete dhe thellimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krijimi i mëtejshëm i të gjithë atyre mekanizmave dhe filtrave për të cilat fola është pikë prerja që lidh të gjitha pjesët përbërëse të palës shqiptare në dokumentin e diagnozës së Komisionit Evropian, ku ka një detyre horizontale për të treja pushtet e pavarura. Rezultate të mëtejshme kundër korrupsionit, përmes vetëreformimit dhe harmonizimit të përpjekjeve”, tha ai.

Çuçi e konsideroi ngritjen e komisionit, moment llogaridhënie edhe për qeverinë

“Me miratimin e rezolutës propozojmë sot ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar si një platforme të përbashkët me aleatët tanë strategjik Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona  të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes evropiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë”, tha ai.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›