E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akorde sekrete dhe kërcënime, hija e basteve mbi calcio-n

Të përfshirë janë lojtarët dhe drejtuesit e klubeve të Serisë A dhe B: shifra të pazakonta dhe baste nga dhomat e zhveshjes Në këtë sezon dyshohen tridhjetegjashtë ndeshje të kampionatit italian

Sezoni futbollistik në Itali, i cili do të mbyllet me ndeshjet e nesërme në Serinë A, do të mbahet mend si kampionati i “marifeteve”. Parulla “Të shmangemi” e paraqitur në stadiumin “Olimpiko” gjatë Lacio-Inter u bë simboli i ndeshjeve që nuk luhen në fushë dhe i “njollosjes” së asaj që dikur ishte liga më e bukur në botë. Javët e fundit janë shoqëruar nga ndere dhe tolerime, të cilat kanë kaluar pa shumë zhurmë. Në dekadën e fundit, futbolli modern në Itali është tronditur nga nëntë hetime për mashtrim sportiv, megjithatë “dhuratat” vazhdojnë pa të keq, me akorde për rezultatin në fushë, të cilat shlyhen në merkato. Por, problemi më i madh në këto momente janë bastet sportive, me shifra të konsiderueshme që luhen në rezultatin e saktë të ndeshjeve. Hipoteza e disa hetuesve nuk lë shumë hapësirë për interpretim: futbollistët, zyrtarët e klubeve dhe disa presidentë e dinë përpara kohe se si do të përfundojë ndeshja. Madje, janë pikërisht këta personazhe që luajnë me rezultatin final. Hetimi ndaj Xhuzepe Postiljones, presidentit të Potencës, i cili vendoste rregullisht baste për skuadrën e tij, e që në bashkëpunim me persona të krimit të organizuar luante edhe për ndeshjet e Serisë A dhe B, zbuloi realitetin e “calcio”-s.

Gjatë këtij viti, agjencitë e mëdha të basteve në Itali, por edhe nëpër Europë, kanë dhënë 11 herë alarmin për ndeshje, rezultati i të cilave ishte përcaktuar përpara se skuadrat të zbrisnin në fushë në Serinë A. Këtu përfshihet edhe ndeshja e sotme, ku Katania pret në fushën e saj Xhenoan. Nëse zbret në Serinë B, situata paraqitet edhe më e rënduar: në këtë sezon janë regjistruar 25 ndërhyrje nga kompanitë, për ndeshje në të cilat bastet janë ndërprerë, ose nuk janë hapur fare. Mes tyre figuronte edhe takimi i luajtur dje pasdite ndërmjet Piaçencës dhe Triestinës, i fiksuar në shifrat 0-0. Më 21 mars, kampionati italian shkaktoi humbje të mëdha për “bookmakers”-at anglezë. Bëhej fjalë për Kievo-Katania, i paralajmëruar se do të përfundonte në barazim. Takimi u mbyll me shifrat 1-1, ndërsa kompanitë në Londër, Mançester e Dublin, humbën 2 milionë sterlina.

Bastet, që në Itali janë përhapur vrullshëm prej vitit 1998, kanë ndryshuar zakonet e futbollit dhe të protagonistëve të këtij sporti. Bastet në internet ua lehtësonin punën lojtarëve. Në vitin 2005, 21 lojtarë të Udinezes, mes të cilëve Di Mikele dhe Jankulovski, vinin baste në mes të ditës. Disa prej tyre hidhnin baste edhe nga dhomat e zhveshjes së “Friulit”, madje duke bërë telefonata edhe gjatë ndeshjeve. Futbollistët që gjatë grumbullimeve studiojnë faqet e basteve nga kompjuteri janë shndërruar në një pamje të zakonshme. Në lojë janë shifra të mëdha parash dhe në këtë pikë rreziku i përfshirjes së krimit është real. Një ekspert tregon se organizatat kriminale fitojnë edhe pa manipuluar rezultatin final të ndeshjes. Mjafton të ndryshosh herë pas here ecurinë e ndeshjes: për të realizuar diçka të tillë, roli i portierëve është vendimtar. DIGOS, divizioni i operacioneve speciale në Itali, vetëm gjatë vitit të kaluar ka regjistruar katër kërcënime në të njëjtën kohë ndaj katër portierëve të skuadrave të Serisë B.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›