Curri, rekord golash me Vorsklën në elitë
Debatik Curri ka shkruar emrin në historinë e klubit ukrainas, Vorskla Poltava. Me golin e realizuar gjatë fundjavës që lamë pas, në fitoren 2-0 përballë Zakarpatias, mbrojtësi shqiptar është ngjitur në kuotën e 18 golave të shënuar në Vyscha Liga (Premier Liga e Ukrainës) me skuadrën e tij, duke thyer rekordin e mbajtur deri më tani nga Sergei Çuiçenko. Renditja në vendin e parë të klasifikimit të lojtarëve të Vorsklas që kanë shënuar më shumë në kampionatin elitar ka qenë si një dhuratë që Curri i ka bërë vetes, vetëm pak ditë përpara se të festojë 26-vjetorin e lindjes. Të shtunën, ai realizoi golin e tretë sezonal, pas dygolëshit të dy javëve më parë në portën e Dnipros. "Gjatë këtyre ndeshjeve më është krijuar mundësia që të shënoj dhe e kam shfrytëzuar", deklaroi lojtari. "Mendoj se mund ta rris edhe më shumë këtë rekord, madje që prej kampionatit aktual. Do të isha i lumtur nëse ai do të zgjaste për një kohë të gjatë. Gjithsesi, për momentin jam më tepër i përqendruar te rezultatet e skuadrës. Ndodhemi në vendin e dhjetë, një pozicion të cilin mendoj se nuk e meritojmë. Pas pushimit dimëror duhet të rikuperojmë pikë dhe vende në klasifikim".
e. k.
e. k.