E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre mungesa me peshë për anti-Vllazninë

Dinamo-Vllaznia të mërkurën dhe Tirana-Besa të enjten do të jenë dy nga sfidat më interesantë të kësaj mesjave futbollistike të Kategorisë Superiore. Blutë, kryesues të tabelës së klasifikimit në kuotën e 38 pikëve dhe pretendetët kryesorë për fitimin e titullit në këtë sezon, do të duhet të presin në shtëpinë e tyre Vllazninë e vendin të nëntë me 15 pikë, e cila prej shumë javësh lufton në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria. E parë në këtë këndvështrim, duket se do të jetë një ndeshje jo e vështirë për Dinamon, por trajneri Shkëlqim Muça e di mirë se shkodranët nuk duhen nënvlerësuar në asnjë moment. Por tekniku i bluve do të ketë edhe një tjetër "kundërshtar" për këtë sfidë: mungesat. Numri i lojtarëve të rëndësishëm që do t‘i mungojnë Dinamos për anti-Vllazninë është tre: Allmuça i dëmtuar, Soza i pezulluar me kartonë dhe Putinçiani i skualifikuar nga Komisioni i Disiplinës. Të tre lojtarët mbulojnë krahun e djathtë. Por megjithatë pritet që këto mungesa të mos ia zbehin interesin kësaj sfide, e cila i ka gjetur këto dy skuadra në një distancë të pazakontë prej 23 pikësh. Në stadium pritet një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë.

A. M

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›