E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një "Luvër" i dytë në Francë

Franca do të ndërtojë një "Luvër tjetër". Edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë të rikrijohet atmosfera e muzeut të Luvrit të vjetër, muzeu i ri është menduar të çelet në vitin 2012 në Lens, rreth 200 kilometra nga muzeu më i famshëm në botë. E megjithatë, i riu nuk do t‘i ngjajë aspak të vjetrit. Do të jetë shumë larg nga frymë e 800-ës që mbështjell ndërtesën monumentale, e cila ndodhet në zemër të Parisit. Kompleksi i ri prej 28 mijë metrash katrorë do të përbëhet nga kuadrate prej betoni dhe metali, do të ketë fasada reflektuese prej alumini, çati prej xhami dhe një strukturë të thjeshtë dhe lineare siç edhe parashikon projekti i arkitektëve japonezë, Kazuyo Sejima e Ruye Nishizaëa, të cilët fituan konkursin ndërkombëtar. Punimet në kantierin e Lensit, të cilat kanë nisur qysh prej 4 dhjetorit kohë kur ministri i Kulturës së Francës, Frédéric Mitterand, vendosi gurin e parë, mendohet të përfundojnë brenda dy vitesh dhe do të kushtojnë rreth 150 milionë euro. Pritshmëria prej qeverisë franceze dhe politikanëve vendas në lidhje me ketë muze të ri është e lartë. Vetëm për vitin e parë priten rreth 700 mijë vizitorë me një mesatare që do të shkojë nga 450 deri në 550 mijë për çdo vit. E megjithatë, përtej ndryshimeve të dy muzetë do të jenë të lidhura prej një filli të dyfishtë: kolona vertebrale e Luvër Lens do të jetë "galeria e kohës", në të cilën herë pas here do të ekspozohen 250 vepra të Luvrit duke filluar nga antikiteti e deri në vitin 1850, vepra të cilat vijnë nga e gjithë bota përfshi Amerikën, Indinë e Kinën. Çdo vit në galeritë e Luvrit të ri do të organizohen dy ekspozita të mëdha bashkëkohore, por do të kenë hapësirat e tyre edhe veprat e de La Tour, Raffaello, Fragonard, Rembrandt, Botticelli dhe Leonardo da Vinci etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›