E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamdi Salihi një bomber race, gol të 10 skuadrave austriake

Ai dhe goli kanë krijuar një lidhje të veçantë në këto muajt e fundit dhe nuk dinë të ndahen nga njëri-tjetri. Kur është para portës është i papërmbajtshëm dhe bën atë që di të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër: ta çojë topin në rrjetë. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin, sulmuesin shqiptar të kampionit rekordmen të Austrisë, Rapidit të Vjenës, i cili tashmë është ngjitur në kuotën e 12 golave, i dyti në listën e golashënuesve më të mirë, dy më pak se vendi i parë i mbajtur nga Valner Roman i Lask Linz (14, një prej të cilëve e ka shënuar me 11-metërsh). Golashënuesi i dytë më i mirë për Rapidin në këtë sezon është sulmuesi titullar Shtefan Hofman (kapiteni i skuadrës), në kuotën e 9 golave në vendin e pestë në listë, por me dy gola të shënuar me penallti. Salihi është shndërruar në një lojtar të frikshëm për të gjitha mbrojtjet kundërshtare, pavarësisht se trajneri Pakult e aktivizon më së shumti si zëvendësues te Rapidi. Në bazë të verifikimit të statistikave, dje mediat austriake kanë zbuluar se sulmuesi shqiptar në karrierën e tij ka "zhvirgjëruar" të gjitha portat e të 10 skuadrave, që militojnë në këtë sezon në Bundesligën austriake (tipp3-Bundesliga). Kompletimi i këtij qarku u bë të shtunën e fundit, kur Salihi realizoi golin e tij të 12 pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Riedit, me të cilën u aktivizua në dy ndeshjet e para të këtij sezoni, para se të kalonte te Rapidi. Skuadra e tij e re, e cila kryeson edhe klasifikimin pas 19 ndeshjeve të sezonit, është edhe ekipi i cili ka shënuar më shumë gola me lojtarët zëvendësues, 9 gola: 4 Salihi (3 me Rapidin dhe 1 me Riedin). Po ashtu kryesuesit e kampionatit austriak kanë shënuar më shumë gola se të gjithë në fazën fillestare të ndeshjes dhe në atë përfundimtare, 16 (gjashtë nga të cilët mbajnë firmën e Salihit). Por goli i shënuar të shtunën kundër Riedit është shoqëruar edhe më një episod të këndshëm. Rapidi kishte shënuar më parë me Katzer (2‘) dhe Burgshtaler (47‘), por ishte pikërisht shqiptari që hodhi "K.O" ish-skuadrën e tij (63‘). Nuk është habi që pas fërshëllimës përfundimtare trajneri i Riedit, Gludovatz, vrapoi për te Salihi dhe duke e kapur për fanelle, e afroi pranë vetes dhe i bërtiti: "A nuk mund ta përmbash veten, kur je para portës"?.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›