E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Shkodër kanë një ide: Martini pasardhës i Luçit

Fitorja e së dielës përballë Kastriotit ka shërbyer për t‘i dhënë disi frymëmarrje Vllaznisë. Kuqeblutë u ngjitën në vendin e nëntë në klasifikimin e Kategorisë Superiore, megjithatë pozitat e skuadrës vazhdojnë të mos jenë komode. Shkodranët kanë zhgënjyer në rezultate, ndërkohë që loja vazhdon të mos bindë. Për këtë arsye janë shtuar zërat se aventura e Roland Luçit në krye të stolit mund të jetë drejt fundit. Trajneri, i cili la jetën që kishte ndërtuar prej vitesh në Austri, nuk ka arritur t‘i ndryshojë "fytyrën" Vllaznisë, me skuadrën që vazhdon të qëndrojë në zonën e "ftohtë" dhe të rrezikojë seriozisht rënien nga elita.
Me Luçin në drejtim, të emëruar pas javës së pestë të kampionatit në vend të Hasan Likës, skuadra ka marrë vetëm 11 pikë në nëntë javë: mesatarisht 1,2 pikë për ndeshje. Shumë pak për një klub me traditë, që në fillim të sezonit pretendonte të paktën një vend në kupat e Europës. Me katër humbje, tri fitore dhe dy barazime trajneri nuk i ka bindur drejtuesit, të cilët tashmë po mendojnë t‘ia besojnë stolin një tekniku më ekspert, që mbi të gjitha e njeh nga më pranë mentalitetin dhe ambientin. Jo më kot, në horizont është shfaqur emri i Edi Martinit. Duke qenë se ka luajtur përkrah lojtarëve që përbëjnë "bërthamën" në formacionin aktual, ai mund të marrë maksimumin nga kuqeblutë. Ish-sulmuesi i mirënjohur shkodran ka dhënë prova për aftësitë drejtuese, duke punuar në krye të Kombëtares shqiptare të minifutbollit, por edhe te Luftëtari e Laçi. Madje, gjatë sezonit të kaluar, 34-vjeçari i dhuroi kësaj skuadre titullin kampion në Kategorinë I dhe ngjitjen në Superiore, por u largua ende pa filluar sezoni për shkak të problemeve personale. Aktualisht ai është pjesë e skuadrës së Vllaznisë në kampionatin e minifutbollit, ku vazhdon të shfaqë "nuhatjen" karakteristike përpara portës.
Gjithsesi, Martini i ka cilësuar vetëm spekulime zërat që e shohin si pasardhës së Roland Luçit. Edhe pse nuk e fsheh faktin se do ta kishte për prestigj një detyrë e tillë, ai thekson se nuk do ta pranonte ofertën (nëse ajo do të vinte), për hir të miqësisë që ka me trajnerin aktual. "Nuk është e vërtetë që unë do të jem trajneri i ardhshëm i Vllaznisë", deklaroi Martini. "Nuk kam pasur kontakte me asnjë nga drejtuesit e klubit rreth kësaj çështjeje. Këto janë vetëm thashetheme kafenesh, të cilat nuk i bëjnë mirë skuadrës në këto momente që po kalon. Unë do të ndihesha i privilegjuar nëse do të ulesha në stolin e ekipit të vendlindjes, ku kam filluar edhe karrierën si futbollist, por në mënyrë kategorike mund të them se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me presidentin Valter Fushaj. Për më tepër, nuk mund të bëhet fjalë që pikërisht unë të marr postin e Luçit, të cilin e kam mik". Edhe numri një i shkodranëve e ka hedhur poshtë shkarkimin e teknikut aktual. Presidenti ka shprehur besim se puna e Luçit do të sjellë rezultatet e dëshiruara, ndërsa për përforcimin e Vllaznisë po pritet edhe merkato e dimrit, ku priten disa blerje në reparte të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›