E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth-komunitetit rom: E ardhmja juaj varet nga arsimimi

Duke folur në vigjilje të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vuri theksin mbi rëndësinë e arsimit si një instrument thelbësor për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit Rom brenda shoqërisë shqiptare.
 

"Përmes shkollimit të mirë fëmijët Romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për t`i hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike," tha Ambasadori Wollfarth.
 

"Ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve Romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit Rom. Përqindja e lartë e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve Romë mbetet një shqetësim i madh për ne sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të Romëve."

"Nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve Romë me libra falas," shtoi ai.

"Njëkohësisht, prindërit Romë duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e shkollimit. U takon prindërve që të zgjedhin në favor të shkollimit si e vetmja rrugë për të siguruar mundësi më të mira jetësore për të ardhmen për fëmijët e tyre," tha ai.

Qysh prej fillimit të mandatit si Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, është përqendruar në çështjet e lidhura me qasjen e barabartë në shkollim të fëmijëve Romë. Me qëllim që t`i jepet zgjidhje kësaj çështjeje, Prezenca ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për t`i pajisur fëmijët Romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë ndër të tjera libra dhe kompjutera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›