E Diel, 1 Nëntor 2026

DARKE ME NANON NE VJENE - Berisha me makinë nga Brukseli për në Tiranë



Erald Kapri

Një aventurë e vërtetë ka qenë kthimi nga Brukseli i Kryeministrit Sali Berisha. Berisha u detyrua të kalojë një natë në Vjenë, të cilën ai e ka shfrytëzuar edhe për të pushuar pak, por edhe për të takuar një koleg të vjetër, ish kryeministrin Fatos Nano.
Aventura e delegacionit shqiptar nisi mëngjesin e ditës së premte, kur u njoftua se kthimi në Shqipëri ishte i pamundur me linjë ajrore për shkak të hirit vullkanit të ardhur nga Islanda, i cili bllokoi aeroportet kryesore të Evropës. Në pamundësi për tu kthyer në Shqipëri sipas prenotimit të biletave ajrore, u mendua fillimisht që kryeministri së bashku me truprojën e tij të nisët me tren deri në Vjenë. Arsyeja ishte se në kryeqytetin vjenez bëhet tranzitimi i avionit, dhe me udhëtimin me tren bëhej e mundur që kreu i Qeverisë të kapte avionin e mbrëmjes në Vjenë. Ambasada shqiptare në Belgjikë tentoi të prenotojë biletat e trenit, por mori përgjigje se ishin vetëm 3 bileta të lira pa vend. Në këtë moment, kryeministri mori vendimin për të udhëtuar me makinë deri në Vjenë, përmes Gjermanisë. Udhëtimi nisi në orën 11.30 të ditës së premte dhe delegacioni shqiptar u shoqërua nga një eskortë e shtetit belg e më pas atij gjerman e austriak. Ambasadorja shqiptare në Belgjikë shoqëroi eskortën deri në Nuremberg, ndërkohë që në kufi të Gjermanisë e më pas të Austrisë, ambasadorë respektivë të Shqipërisë pritën delegacionin shqiptar. Delegacioni në Vjenë mbërriti rreth orës 10 të mbrëmjes, por aty u mësua lajmi se udhëtimi me avion ishte i pamundur drejt Shqipërisë. Vjena kishte bllokuar ç’do udhëtim që lidhej transit me Tiranën. Ndonëse një trafik i rënduar për shkak se anulimi i fluturimeve detyroi mijëra qytetarë të përdorin rrugët, kreu i Qeverisë ka udhëtuar me shpejtësi të lartë deri në kryeqytetin e Vjenës, një largësi prej 1300 kilometrash. Udhëtimi zgjati rreth 10 orë.
Takimi me Nanon
Me mbërritjen në Vjenë, kryeministri dhe delegacioni prej 15 vetësh kaluan natën në Hotel “Grand” të Vjenës. Berisha u pa duke ngrenë mëngjes në hotel e më pas ai kaloi pjesën tjetër të ditës duke lexuar në dhomën e tij. Qëndrimi në hotel “Grand” rezervoi edhe një takim të veçantë. Berisha darkoi në restorantin francez, që ndodhet në katin e fundit të hotelit me ish- kryeministrin Fatos Nano. Të dy liderët, njëri i veshur me kostum e tjetri me këmishë të bardhë e jelek, kaluan mbrëmjen nën shoqërinë e verës dhe të batutave. Fillimisht kokë më kokë, më pas tavolinës iu shtuan edhe njerëz të tjerë. Nano e Berisha kanë shkëmbyer batuta, ku nuk kanë munguar komentet për situatën aktuale politike, hapja e kutive të votimit apo kongresi i Partisë Socialiste që mbahet sot. “PS të ka dërguar në egzil”, mësohet të ketë qenë një prej batutave të kryeministrit Berisha drejtuar Nanos. Ish-kryeministri Nano kalon një pjesë të jetës së tij në Vjenë, pasi edhe djali i tij dhe i Xhoanës studion në Austri. Tavolinës më pas i janë shtuar vendet, dhe në të janë ftuar të marrin pjesë edhe ambasadori shqiptar në OSBE, por edhe personazhe të tjerë. Në hotel “Grand”, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Biseda mes Nanos e Berishës ka kaluar më formale më pas. Nano ka kërkuar të dijë rreth vizitës së Berishës në Bruksel për dorëzimin e pyetësorit, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Berisha ka informuar ish-kryeministrin edhe rreth gjërave informale që shoqërojnë procesin e liberalizimit të vizave.
Kthimi në Shqipëri
Kthimi në atdhe do të jetë sërish një aventurë për delegacionin e kryeministrit. Mësohet se kryeministri do të nisej sot në orët e para të mëngjesit me makinë, nën shoqërinë e eskortës. Kthimi do të ketë të njëjtin organizim. Fillimisht do të dilet në Slloveni, ku ambasadori shqiptar i këtij vendi do të presë kryeministrin së bashku me një eskortë shtetërore. Më pas do të kalohet në Kroaci, nëpër qytetin e Dubrovnikut, për të kaluar në Mal të Zi, Shkodër e më pas në Tiranë. Rreth 2500 kilometra rrugë me makinë, e afërisht 3 ditë udhëtim, i janë dashur delegacionit shqiptar për të mbërritur në Tiranë.

Treni
Fillimisht u planifikua një udhëtim me tren nga Brukseli në Vjenë. Ambasadës shqiptare iu kërkua të siguronte së paku dy bileta për Berishën dhe një truprojë, por përgjigja ishte se mund të gjendeshin vetëm tre bileta, por pa vend uljeje.

Eskorta
Kryeministri udhëtoi me makinë nga Brukseli, i shoqëruar nga eskorta të çdo shteti që përshkoi. Udhëtimi prej 1300 kilometrash deri në Vjenë u bë në një kohë rekord, kur shpejtësia e udhëtimit ishte deri në 180 kilometra për orë, me një mesatare prej 130-140 kilometrash në orë.

Në dhomë
Kryeministri Sali Berisha ka shpenzuar paraditen në kryeqytetin vjenez, duke qëndruar në dhomën e tij të hotelit. Ai ka ngrënë mëngjes në hotel e më pas është ngjitur në dhomë ku e ka kaluar paraditen duke lexuar, deri në momentin kur ka dalë për të takuar Nanon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›