Edhe Topi anulon udhëtimin në Poloni
Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka anuluar vizitën e tij në Poloni, ku do të merrte pjesë në varrimin e ish-Presidentit Leçh Kaczynski. Mësohet se anulimi ka ardhur për shkak të situatës së krijuar nga hiri vullkanik. Aeroporti i Rinasit ka anuluar udhëtimet për shkaqe sigurie. Në të njëjtën kohë, liderët e botës janë në dilemë për të marrë pjesë në funeralin e ish-Presidentit Leçh Kaczynski për shkak të anulimit të fluturimeve. Ndërsa Presidenti francez, Nikola Sarkozi, ndodhej në Poloni të shtunën dhe përgatitet për të marrë pjesë në funeral sot, liderë të tjerë të rëndësishëm, që kishin planifikuar të merrnin pjesë, përfshirë Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel e Presidentin Obama, ende përballen me mundësitë e anulimit për shkak të hirit vullkanik. Shtëpia e Bardhë tha më parë se Obama do të nisej nga baza “Andrews Air Force” të shtunën në mbrëmje, por zyrtarët deri në mbrëmje ishin ende duke monitoruar situatën. Nuk ishte e qartë nëse Presidenti rus, Medvedev, do të nisej të shtunën nga Moska. Liderë të tjerë vendosën të udhëtojnë me makinë për në Poloni si Kryeministri estonian, Andrus Ansip, dhe Presidenti e Letonisë, Valdis Zatlers, i cili do të udhëtojë 13 orë. Presidenti austriak, Heinz Fischer, Princi çarls, Mbreti i Suedisë, Karl XVI Gustaf dhe Presidenti bullgar, Georgi Pyrvanov, do të marrin pjesë në funeral vetëm nëse rinisin fluturimet. Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso, ishte në Francë dhe po kërkonte mundësi tjetër udhëtimi. Kryeministri kanadez, Stephen Harper, Kryeministri i Koresë së Jugut, Chung Un-chan dhe Kryeministri spanjoll, Jose Luis Rodriguez Zapatero, e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në funeral. Sot pritet që 1.5 milionë njerëz të nderojnë Kaczynski.