E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesuesit, gati humbjet e radhës



Leonard Karaj

Një Dinamo e pamotivuar udhëton drejt Fierit si dhe një Besë pa shumë nga lojtarët e formacionit bazë shkon në “Niko Dovana”. Kryesuesit priten që të ndalen sërish këtë javë. Si blutë e kryeqytetit, ashtu edhe kavajasit, jo vetëm që kanë probleme formacioni, por nuk janë as të motivuar sa duhet për të marrë tri pikë në transfertë, sikundër ndodhte në fazën e parë dhe të dytë të këtij sezoni. Dinamo, si asnjëherë më parë ka kaluar një javë të qetë, e stërvitur nga numri 2 i pankinës, Mërgjyshi, pasi trajneri çim Muça ka qenë në Itali, në një kurs njëjavor në Koverçiano. Madje ekipi nuk është grumbulluar fare si zakonisht për këtë takim dhe është nisur drejt Fierit vetëm sot në orën 10:00. Në krahun tjetër, Apolonia kërkon shansin e fundit për të shpresuar në një mbijetesë, por edhe pse “play-out”-i, ajo kundër bluve duket se është një ndeshje që zor se mund t’i shpëtojë fierakët. E njëjta gjë edhe në Durrës, ku “kushëriri i madh”, Teuta, kërkon pikë ndaj Besës së vendit të dytë, e cila shikon më shumë nga finalja e Kupës së Shqipërisë sesa nga kampionati. Trajneri Shpëtim Duro nuk ka në dispozicion as pesë titullarë për këtë takim: Dragusha, Poçi, Babamusta, Dhëmbi dhe Sinani nuk do të udhëtojnë fare me ekipin, ndërsa luan si titullar i riu Shtini. Disa km më larg, në Peqin, Tirana ka shansin që të marrë vendin e dytë në renditje (gjithnjë nëse humb Besa), por duke bërë llogaritë me një Shkumbin, që tashmë ka si objektiv të vetëm zonën e Evropës. Ndërsa në Shkodër, një Vllazni pa bekim Balën do të kërkojë vazhdimësinë ndaj Skënderbeut, që është më shumë se kurrë “i uritur” për pikë. Në dy takimet e tjera, Laçi është favorit ndaj Gramozit, tashmë i rënë në Kategorinë e Parë, ndërsa në Vlorë luhet një ndeshje “ferri” për krutanët dhe mjaft delikate për vlonjatët. Presidenti i Kastriotit, Djala, ka rikonfirmuar se, nëse do të shikojë një arbitrim të njëanshëm në këtë takim, do ta nxjerrë skuadrën nga fusha, ashtu sikundër ndodhi edhe në ndeshjen e fazës së dytë.

Laçi në qeli, tifozët protestojnë
Një grup tifozësh të Partizanit kanë protestuar dje para prokurorisë për lirimin e aksionerit të klubit, Paro Laçi, i arrestuar një ditë më parë nga Policia e Tiranës, pas denoncimit të bërë nga futbollisti Sokol Ishka. Sportdashësit e këtij klubi kërkuan lirimin e Laçit, sepse sipas tyre, futbollisti e kishte tërhequr denoncimin. Protestuesit nuk janë larguar derisa kanë marrë një përgjigje nga ana e drejtuesve të prokurorisë, sipas të cilëve, aksioneri i Partizanit nuk mund të lirohet pa marrë si fillim në dorë dosjen e policisë, e cila duhej të kishte mbërritur që dje në organin e akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›