DASH: 245 grupe fetare, bashkëjetesë në Shqipëri
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin vjetor për lirinë e besimeve fetare në borë, ku në kapitullin për Shqipërinë vlerëson se vendi ka një liri besimi të plotë. Sipas raportit, referuar shifrave zyrtare nga Komiteti Shtetëror për Kultet, ekzistojnë 245 grupe dhe organizata fetare në vend. “Komiteti Shtetëror për Kultet raportoi një total prej 245 grupesh, organizatash dhe fondacionesh fetare, përpos katër grupeve tradicionale fetare. Kjo shifër përfshinte 34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante, shumica prej tyre me lidhje me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH)”, - thotë raporti i DASH. Raporti thotë më tej se “Kushtetuta siguron lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuuan për një ushtrim përgjithësisht të lirë të fesë. Ligji në të gjitha nivelet e mbron këtë të drejtë nga abuzimet, si prej qeverisë ashtu edhe prej aktorëve privatë”. Sipas tij, në vend ka katër fe kryesore, por që ende s’ka shifra të sakta, pasi ende s’ka një regjistrim popullsie që përcakton përkatësinë fetare në vend. Katër grupet fetare tradicionale, sipas raportit, janë myslimanët (sunitë), bektashinjtë (një formë e sufizmit shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), si dhe katolikët romakë. Gjithashtu, ka edhe shifra thelbësore të feve protestante dhe grupeve të tjera fetare, përfshi Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, si dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët). Për sa u përket simboleve dhe veshjeve fetare, raporti thotë: “Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare. Drejtorët e shkollave kanë të drejtë të përcaktojnë standardet për “veshjen e përshtatshme”, çka me raste përfshinte kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare. Gjatë periudhës së raportimit, tri nxënëse të shkollave të mesme publike u ndaluan të ndiqnin orët e mësimit, ngaqë mbanin shami koke”.