Berisha: “Giffoni” forcoi marrëdhëniet me Italinë
Kryeministri Sali Berisha priti dje drejtorin e festivalit “Giffoni”, zotin Claudio Gubitosi. Z. Berisha shprehu vlerësimet e tij për organizimin e këtij aktiviteti kaq prestigjioz edhe në vendin tonë, siç është Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni”. Kryeministri Berisha theksoi se ky eveniment është një shprehje e rëndësishme e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe një panoramë serioze e arritjeve të filmit për fëmijë dhe një rast shumë i mirë për shkëmbimin e përvojave dhe traditave mes të rinjve dhe fëmijëve nga e gjithë bota. Drejtori i festivalit “Giffoni”, z. Claudio Gubitosi, u shpreh mjaft i kënaqur për këtë takim, si dhe për faktin që ky takim koincidonte me 40-vjetorin e festivalit të filmit “Giffoni” dhe me 25-vjetorin e aktivitetit të këtij festivali në Shqipëri. Z. Gubitosi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë dhe do të japë për këtë eveniment kaq të rëndësishëm kulturor dhe formues në vendin tonë, si dhe shprehu gatishmërinë për të çuar më tej lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin në kuadër të këtij aktiviteti të përvitshëm.