E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri detar, Meta: Marrëveshja, sipas kërkesave të BE-së



Qeveria shqiptare mbron marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e kufijve detarë, duke e cilësuar atë tërësisht ligjore dhe në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. I pyetur nga mediat për caktimin e kufijve detarë me Greqinë, ku PS-ja pretendon se Shqipëria ka humbur mbi 300 km det, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se marrëveshja e kufijve ujorë Shqipëri-Greqi është tërësisht e ligjshme. Sipas Metës, pakti me fqinjin tonë jugor është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, prezantoi dje përparësitë e politikës së jashtme të dikasterit që ai drejton, në konferencën e organizuar në kuadër të prioriteteve dhe sfidave që dalin përpara diplomacisë shqiptare. Në këtë kontekst, duke folur për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Meta tha se ky bashkëpunim nuk duhet të shoqërohet nga mbarsja me një frymë ksenofobiste. “Kjo është një stuhi në një gotë me ujë. Nxitet frymë ksenofobie dhe ekstremizmi kur dihet se Shqipëria do të nisë negociatat me BE-në; krijohet frymë që s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë”, - deklaroi ministri Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›