Policia e Shtetit: Nuk ka përplasje me Policinë Tatimore
Policia e Shtetit ka hedhur poshtë dje akuzat e deputetit të PS-së, Erion Braçe, i cili foli për një konflikt mes saj dhe Policisë Tatimore për mbylljen e depove të ARMO-s. Në deklaratën e djeshme për shtyp të kësaj policie, thuhej: “Duke marrë shkas nga deklarata e bërë në media nga z. Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste, ku pretendohet për një përplasje ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe Policisë Tatimore në Fier, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke hedhur tërësisht poshtë si të pavërteta këto insinuata, sqaron opinionin publik se gjatë ditës së djeshme nuk është evidentuar asnjë përplasje mes këtyre strukturave dhe bashkëpunimi i strukturave të Policisë së Shtetit me organet tatimore në Fier ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivelet më të larta”.