E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Freden: Thellim bashkëpunimit integrues



Shqipëria dhe Suedia kanë gatishmërinë e bashkëpunimit për përmbushjen me sukses të objektivave të qeverisë shqiptare dhe Presidencës së radhës së BE-së në lidhje me hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian. Kryeministri Berisha priti dje ambasadorin e Suedisë për Shqipërinë, rezident në Shkup (Maqedoni), z. Lars Freden, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në takim u diskutua për përparësitë dhe punën që po bën qeveria shqiptare për integrimin me hapa të shpejtë të vendit në BE, si dhe për përparësitë e Presidencës suedeze të BE-së për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE. Kryeministri Berisha i bëri gjithashtu me dije ecurinë dhe rezultatet e reformave të qeverisë shqiptare, si dhe të projekteve të rëndësishme infrastrukturore që janë duke u zhvilluar në Shqipëri, të cilat synojnë ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit, por që do t’i shërbejnë edhe integrimit rajonal dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit. Kryeministri Berisha i shprehu atij mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadër të Presidencës së radhës të BE-së. Ambasadori Freden e uroi për rikonfirmimin e tij si Kryeministër dhe njëkohësisht, ai shfrytëzoi rastin ta uronte Kryeministrin Berisha për veprën madhore të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. “Sapo u ktheva nga Prizreni, përmes kësaj rruge madhështore, e cila është një arritje e madhe e qeverisë shqiptare”, - u shpreh ambasadori Freden.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›