E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Problem në vend mbeten pronat e komuniteteve fetare

Departamenti i Shtetit publikoi dje raportin e përvitshëm për liritë fetare në mbarë botën. Në raport thuhet se edhe për vitin që mbyllëm, mungesa e tolerancës fetare pllakosi në botë. Në raportin e DASH për Shqipërinë thuhet se qeveria as nuk i përmirësoi dhe as i përkeqësoi liritë fetare. Qeveria nuk tregoi ndonjë tendencë drejt përmirësimit ose përkeqësimit në respektimin apo mbrojtjen e të drejtës për liri fetare. Nuk ka pasur raportime për abuzime sociale apo diskriminim bazuar në besimin fetar, thuhet në raport.
Censusi
DASH thekson se nuk ka të dhëna të besueshme për pjesëmarrjen fetare. Në raport theksohet se të dhënat e fundit zyrtare i përkasin vitit 1939. Censusi i vitit 2011 u përmbyll në nëntor. Aty përfshihej një pyetje në lidhje me përkatësinë fetare, por rezultatet e plota të sondazhit nuk priten së paku deri në mes të vitit 2012, vijon raporti. Sipas Kushtetutës, nuk ka një fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta, megjithatë, myslimanët suni, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët kanë një shkallë më të lartë njohje dhe status social bazuar në prezencën e tyre historike në vend, thuhet në raport. Në raport thuhet se në vend është krijuar një zyrë për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, por ky institucion nuk ka fonde dhe staf.
Pronat e komuniteteve
Si thuajse gjithmonë, në raport thuhet se problem në vend mbeten pronat e komuniteteve fetare. Edhe pse Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është udhëzuar që ti japë përparësi kthimit të pronave për komunitetet fetare, sërish progresi ka qenë i avashtë. Në vend janë në total 102 institucione edukative fetare, thekson më tej raporti. Raporti thekson se Komuniteti Mysliman vazhdon të kërkojë lejen për ndërtimin e një xhamie në Tiranë. Raporti thotë se kryebashkiaku i Tiranës ka premtuar ngritjen e një komisioni për ngritjen e xhamisë pranë sheshit qendror në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›