Ministrja e Jashtme e Qipros takime me Panaritin e Topallin
Presidenca qipriote e Bashkimit Europian është e angazhuar të ndihmojë Sshqipërinë në marrjen e statusit kandidat në tetor. Kjo është garancia që dha në Tiranë, shefja e diplomacisë qipriote, Erato Kozakou Markullis gjatë takimit që pati me homologun e saj Edmond Panariti. Markulis në cilësinë e presidencës së radhës së Bashkimit Europian i bëri thirrje politikës shqiptare që të lërë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të punojë për përmbushjen e 12 kritereve të Komisionit Europian që janë vendosur si kusht për dhënien e statusit kandidat.
Po gjatë ditës së martë, shefja e diplomacisë qipriote Markulis u prit në një takim të veçantë edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.“Unë jam në Shqipëri për t’iu inkurajuar për punën e madhe që keni bërë në realizimin e reformave dhe për t’iu nxitur njëkohësisht për të ecur përpara në plotësimin e paketës së kritereve të Brukselit. Presidenca jonë në BE do të mbështesë çdo hap të Shqipërisë drejt bashkimit në familjen europiane dhe për këtë duhet dhe bashkëpunimi juaj këtu në Shqipëri në realizimin e reformave të tjera që presin të miratohen” u shpreh Ministrja e Jashtme, Marcoulis. Nga ana e saj Kryetarja Jozefina Topalli njohu Ministren e Jashtme, Marcoullis me punën intensive dhe reformat që Parlamenti ka ndërmarrë në funksion të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Europian, siç është miratimi i reformës zgjedhore dhe angazhimin e Mazhorancës për të pranuar të gjitha propozimet e opozitës për çështjen e imunitetit me qëllim miratimin e kësaj reforme në 6 gusht.