DASH: Shqipëria, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin Ballkanik
Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jason Hyland takon Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, duke përshëndetur nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim Jason Hyland, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadori amerikan, John Withers. Ministri Basha dhe Hyland vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në planin shumëpalësh.
Hyland vlerësoi rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit.
Nga ana e tij, ministri Basha falënderoi Hyland për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që SHBA i ka dhënë vendit tonë për anëtarësimin në NATO, i cili pritet të kurorëzohet në prill të këtij viti në Samitin e Strasbourg-Kiehl. Më tej, shefi i diplomacisë shqiptare e njohu Drejtorin e Departamentit Amerikan të Shtetit, me reformat dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri, ku vëmendje të veçantë i kushtoi ecurisë së reformës elektorale.
Bashkëpunimi rajonal, zhvillimet në Kosovë, si dhe perspektiva euroatlantike e vendeve të rajonit ishin të tjera çështje rreth të cilave bashkëbiseduesit ndanë qëndrime dhe vlerësime të njëjta. Kreu i Diplomacisë shqiptare e siguroi Hyland për vendosmërinë e palëkundur të qeverisë shqiptare për të qenë një faktor stabiliteti, moderimi dhe paqeje në rajon e më gjerë.