Topalli: 20 shkurti dita që mbetet mbi historinë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha sot në një konferencë përkujtimore në Tiranë, se "20 shkurti është dita që mbetet përmbi historinë". Në ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit dhe rënies së bustit të diktatorit, Grupimi ”Dhjetori 90” dhe Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, organizuan konferencën “Triumfi i Lirisë, dita kur ranë mitet e diktaturës”. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit tha se "në këtë datë të rrëzimit të mitit monstruoz, ne po festojmë duke i thënë shqiptarëve se e kemi mbajtur premtimin më të madh: kemi bërë të mundur që Parlamentet e 26 vendeve anëtare të Atlantikut, të na japin besimin dhe votën për në NATO". Gjatë fjalës së saj, Kryetarja Topalli spjegoi se Parlamenti po kryen përpjekje të rëndësishme t'i japë dimensionet që meriton historisë së dhimbshme të persekutimit dhe kalvarit të gjatë të vuajteve të elitës dhe mijëra shqiptarëve nga regjimi i egër i diktaturës. “Unë kam qënë në disa takime si në Malësi të Madhe, Tamarë ,Vlorë në përkujtim të lëvizjeve të para antikomuniste. Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe ka bërë disa lëvizje, ku ndër të tjera është miratimi i ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve, që do të nisë pas disa ditësh. Ne i kemi një borxh, të cilin do t’ia kthejmë atyre, që pa vendime të gjykatave janë pushkatuar dhe ne nuk i dimë varret e tyre”, u shpreh ndër të tjera znj. Topalli. Gjatë ditës së sotme, Kryetarja e Kuvendit ishte e pranishme dhe në çeljen e ekspozitës “Nderim viktimave të komunizmit” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha.
Shënim
Plot 18 vjet më parë, më 20 shkurt 1991 në Tiranë, rrëzohet busti i diktatorit Enver Hoxha, njeriut që dhe pas vdekjes u përjetësua në simbole dhe monumente madhështore. Në ditët e fundit të atij viti, studentë dhe qytetarë të kryeqytetit organizuan një protestë masive, ku shënjestra e saj ishte përmbysja e shtatores së diktatorit, e vendosur në sheshin "Skënderbej' në tetor të vitit 1988, në përvjetorin e 80-të të lindjes së Hoxhës. 18 vjet pas kësaj ngjarje, një nga personazhet kryesore të saj, Saimir Maloku, rrëfen zhvillimet e asaj dite historike e të paharruar. "Ne bëmë planin një natë më parë që të rrëzonim monumentin gjigand prej bronxi të diktatorit. Së bashku me njerëz të fortë fizikisht u mobilizuam që të përmbysnim jo vetëm shtatoren e tij, por dhe parrullën "Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë", e vendosur mbi godinën e Pallatit të Kulturës, si dhe të digjnim librat e Enver Hoxhës tek librari "Flora", tregon Maloku. Ai thotë se nuk kishte frikë nga këto veprime, pasi ideali i tij ishte demokracia. "Rrëzimi i monumentit ka qënë momenti më i bukur i jetës sime. Kisha kaluar 9 vjet në burgjet e diktaturës, ku kam parë se si njerëzit vdisnin për idealin e demokracisë vetëm e vetëm se kërkonin të shkonin në perëndim apo të respektoheshin të drejtat e njeriut. Lotë gëzimi pashë në sytë e protestuesve, të cilët e ëndërronin atë ditë, demokracinë e vërtetë", tregon Maloku. Aktualisht, ai është aktivist në Qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Viktimave të Traumës dhe Torturës, ndërsa jep ndihmë të madhe në rehabilitimin psikologjik dhe përkrahjen sociale të ish-të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre. Lidhur me zhvillimet përgjatë këtyre viteve demokraci, ai thotë se do të donte që 20 shkurti të quhet dita e rrëzimit të simboleve komuniste, një nga ditët më të lavdishme të kombit shqiptar. "Ne duam që politika shqiptare të jetë më afër shqetësimeve të popullit. Politikanët të jenë "opozitarë por, vëllezër", dhe ashtu si ndodh në perëndim t'i japin dorën njeri-tjetrit, edhe kur humbin", shprehet Maloku. Në nderim të këtyre personazheve, që u bënë protagonistë të atyre ditëve të paharruara, sot Presidenti i Republikës dekoroi 14 personalitete dhe institucione në nderim të kontributit të tyre të çmuar në zhvillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri.
...