Fakti/Shqipëria hiqet edhe nga harta e vendeve tranzit të drogave
Publikohet Raporti më i fundit i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, duke pranuar ndërkombëtarisht se tashmë rruga e transportimit të heroinës nga Azia në Shqipëri e më pas në Evropë nuk ekziston më
TIRANE - Shqipëria fshihet nga harta e vendeve transit të drogës, ndërsa Ballkani është bërë një nga zonat më të sigurta për trafikun në Evropë.
Në një përfundim të tillë ka arritur Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, e cila ka publikuar raportin e saj më të fundit, që i referohet vitit 2007.
Sipas këtij raporti, mësohet se e ashtuquajtura rruga e Ballkanit verior, e cila kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë u përdor më shumë në vitin 2007. Ndërsa ajo e Ballkanit jugor, që kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe pastaj nga Maqedonia në Itali duket të jetë përdorur më rrallë për trafikun e drogës në vitin 2007 sesa në vitet e mëparshme.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, bënë të ditur në raportin e fundit të saj, se çmimi i kokainës në Evropë pritet të bjerë edhe më shumë ndërsa kontrabandistët përdorin rrugë të reja përmes Afrikës Perëndimore dhe Ballkanit.
Bordi thotë se trafikantët përdorin si fasadë për operacionet e tyre kompani fantazmë.
Agjencia paralajmëron se rrjetet e trafikut të kokainës për në Evropë kalojnë edhe përmes Ballkanit. Në raportin e saj agjencia paralajmëron se trafiku përmes Evropës lindore mund të jetë një ndër arsyet e kostos së ulët të kokainës në Britani.
Prodhuesit e drogës dikur e fusnin kokainën në Evropë duke kaluar përmes Karaibeve nëpër pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, por tani i kanë zhvendosur linjat e trafikut për të shmangur patrullat e marinës amerikane dhe britanike.
Bordi Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve tha se Ballkani, që është përdorur tradicionalisht për të trafikuar heroinë nga Afganistani dhe Azia Qendrore për në Evropën Perëndimore, po përdoret gjithnjë e më shpesh si rrugë furnizimi për të sjellë edhe kokainën në Evropë.
Në raport thuhet se Ballkani, që dikur njihej si vatër krimi dhe dhune, gjatë periudhës së luftërave në ish-Jugosllavi dhe tranzicionit nga komunizmi, është bërë një nga zonat më të sigurta për trafikun në Evropë. Ky, sipas raportit është një zhvillim i ri në trafikun e kokainës.
Autoritetet në Kosovë thonë se shifrat e fundit tregojnë një rritje të sasisë së kokainës të konfiskuar, por shtojnë se heroina vazhdon të jetë lloji kryesor i drogës që kontrabandohet përmes vendit.
Në raportin e agjencisë së OKB-së thuhet se rreth 100 ton heroinë kalon nga ky rajon çdo vit. Nënkolonel Fatos Haziri, udhëheqës i Departamentit kundër krimit të organizuar, në Policinë e Kosovës, thotë se droga nuk vjen nga vetë vendet e rajonit.
Raporti i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, bënë të ditur se, heroina që gjendet në tregjet e paligjshme të Evropës, e ka origjinën në Afganistan dhe kalon në Evropë përmes njërës prej rrugëve kryesore: ajo e Ballkanit, apo e ashtuquajtur rruga e mëndafshit. Ajo kalon nga Azia qendrore në Federatën Ruse dhe që atje në vendet evropiane. Kjo vazhdon të jetë rruga kryesore e kontrabandës së heroinës përmes Evropës Lindore dhe që andej në anën Perëndimore.