E Diel, 1 Nëntor 2026

Njësia shtetërore e Koordinimit të Projektit të Jalës nuk ka asnjë lidhje me hetimin e Bankës Botërore

Deklaron ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi

TIRANE - Situata kaotike dhe aspak e qartë në funksionimin dhe marrëdhëniet ndërmjet departamenteve kryesore të Bankës Botërore, venë në dyshim veprimtarinë e këtij institucioni të rëndësishëm botëror, ku dyshohet se po bëhet gjithnjë e më tepër e ekspozuar nga fenomene si korrupsioni nga ana e punonjësve të saj.
Duke komentuar intervistën e Drejtorit të Panelit të Inspektimit pranë BB dhënë për BBC, ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deklaroi se zyra e koordinatorit për shkak të gabimit të vetë Bankës në përcaktimin e termave të referencës të projektit ka vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare, gjë që ka qenë dhe detyrim i saj në bazë të Add Memoireve të Bankës, fotot e monitorimit të të gjithë bregdetit të Jugut, por kjo ka qenë në detyrim të zyrë së koordinatorit.
“Këtu është konflikti që zyrat e Bankës kanë me njëra-tjetrën dhe jo me ne, me qeverinë Shqiptare dhe jo me Njësinë e Implementimit të Projektit që është pjesë e qeverisë Shqiptare. Nëse e lexoni me kujdes atë intervistë ai ka bërë një interpretim shumë të qartë të problemit. Thotë që problemi është i politikës së Bankës, që problemi ka të bëjë me zhvendosjen e pavullnetshme të popullsisë megjithëse aty nuk kemi të bëjmë me zhvendosje popullsie por me prishje të ndërtimeve të paligjshme për qëllime biznesi dhe thotë që gabimet janë të Bankës që në momentin që ka konceptuar projektin dhe ka përgatitur termat e referencës dhe jo të Njësisë së Implementimit të Projektit dhe jo të qeverisë Shqiptare. E thotë këtë në mënyrë shumë të qartë që është përgjegjësi e stafit teknik të Bankës që ka hartuar termat e referencës së projektit. Ishte një intervistë shumë korrekte”, tha Olldashi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›