“Mirënjohje të thellë meritojnë të gjithë ata persona që rrëzuan bustet e gjalla”
Kryeministri Berisha nderon sakrificën e viktimave të diktaturës komuniste
“Jo rastësisht kemi zgjedhur 20 shkurtin për t’i nderuar ata, sepse 20 shkurti ishte dita e ngadhënjimit të tyre, ishte kurorëzimi i fitores së qëndresës së tyre jo mbi bronxet, por mbi bustet e gjalla. Në 20 shkurt në sheshin e Tiranës, në një akt trimërie dhe heroizmi të paparë, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë përmbysën statujën e Enver Hoxhës, Hitlerit të pasluftës, por në të vërtetë ata përmbysën bronxet e gjalla. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Ramiz Alia atë ditë nuk e përgjaku Shqipërinë. Por ata gabojnë”
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në çeljen e ekspozitës në kujtim dhe nderim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, organizuar në Muzeun Historik Kombëtar. Kreu i qeverisë tha se 20 shkurti është Dita Kombëtare e kujtesës, nderimit dhe qëndresës së viktimave të sistemit barbar komunist, që paraqiten tani nëpërmjet ekspozitës dhe dokumenteve autentike, si grimca të shkëputura të kalvarit të tmerrshëm të vuajtjes, dhimbjes, lotëve, persekutimeve, ekzekutimeve me gjyq dhe pa gjyq, internimeve familjeve dhe kolektive të dhjetëra e mijëra shqiptarëve, burrave dhe grave, fëmijëve, të rinjve, të rejave, të moshuarve, gjatë diktaturës hoxhiste në Shqipëri.
“Këto janë veçse grimca, sepse lumenjtë e dhimbjes, lotëve, gjakut, vuajtjeve dhe sakrificave të qytetarëve shqiptarë për fjalën e lirë, iniciativën e lirë, besimin tek Zoti, vlerat hyjnore dhe njerëzore të individit dhe shoqërisë, do të mund të kishin mbushur ndoshta edhe një det të tërë. Në Shqipëri regjimi komunist realizoi monizmin më ekstrem, shtypjen më barbare, persekutimet, vuajtjet, torturat, internimet, ekzekutimet, dëbimet që ky regjim ushtroi mbi shqiptarët për 46 vjet, janë disa herë më të mëdha se të të gjitha regjimet komuniste të vendeve ish komuniste të marra së bashku, përveç regjimit sovjetik”, u shpreh kryeministri.
Berisha vuri në dukje se mekanizmi mizor dhe çnjerëzor i luftës së klasave griu, rrënoi, shkatërroi me qindra e mijëra jetë, mijëra shekuj dhe mijëvjeçarë rini të qytetarëve të këtij vendi, për fajin e vetëm se ata në atë kohë kanë pasur guximin të mendojnë siç mendojmë ne sot, të besojnë siç besojmë ne sot, t’u përmbahen atyre vlerave të shoqërisë së lirë njerëzore, t’i mbrojnë ato vlera të cilat i gëzojmë ne sot.
“Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, hanxharët e diktaturës nuk kursyen qytetarë të të gjitha moshave, të të gjitha përkatësive etnike, vetëm e vetëm sepse kishin një mendim ndryshe, vetëm e vetëm se donin t’u përmbaheshin vlerave më të larta të njeriut dhe të njerëzimit. Por, në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, paralel me mekanizmin lugubër të luftës së klasave, veproi dhe funksionoi mekanizmi i egër barbar i skllavërisë kolektive, skllavërisë ekstreme. Mbi 1 milionë shqiptarë në të gjithë zonën verilindore e juglindore të vendit përjetuan kalvarin më të egër të mjerimit, të urisë, të vdekjes nga uria dhe sëmundjet e saj. Ushqimi i përditshëm i tyre ishte një helm i vërtetë, një helm që ata nuk e dinin, sepse misri me kripën, të pa shoqëruar me gjë tjetër, shkaktojnë urinë kronike dhe vdekjen e sigurt të njeriut”, tha kryeministri Berisha.
Në vijim, Berisha vlerësoi 20 shkurtin, si ditën për të nderuar atë qëndresë të pamposhtur të dhjetëra e mijëra shqiptarëve, të cilët mbajtën të gjalla në qelitë e burgjeve, në varret pa mbishkrime, flakët e lirisë dhe shpresën e saj.
“Sot ne, jo rastësisht kemi zgjedhur 20 shkurtin për t’i nderuar ata, sepse 20 shkurti ishte dita e ngadhënjimit të tyre, ishte kurorëzimi i fitores së qëndresës së tyre jo mbi bronxet, por mbi bustet e gjalla. Në 20 shkurt në sheshin e Tiranës, në një akt trimërie dhe heroizmi të paparë, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë përmbysën statujën e Enver Hoxhës, Hitlerit të pasluftës, por në të vërtetë ata përmbysën bronxet e gjalla. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Ramiz Alia atë ditë nuk e përgjaku Shqipërinë. Por ata gabojnë. Mendoni pak dhjetëra e qindra djem e vajza të vrarë në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1990. Frikacaku nuk guxoi, sepse populli rumun u kishte dhënë një leksion të shkëlqyer diktatorëve dhe ai e dinte mirë këtë. Pra, ai nuk e bëri këtë për të kursyer qytetarët e Tiranës, sepse ai nuk i kurseu të rinjtë që deshën të largoheshin nga Shqipëria, pasi u hoq neni i tradhtisë së lartë për largim nga vendi. Ai kurseu lëkurën e tij dhe të ‘busteve’ të tjera të gjalla që u përmbysën në 20 shkurt”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
Ekspozita, një iniciativë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sjell dokumente dhe foto tronditëse që dëshmojnë përndjekjet, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë.