Paniku/Socialistët tmerrohen nga projekti social i ndërtimit të 6 mijë apartamenteve për të pastrehët

Ka reaguar dje zëvendëskryetari i grupit parlamentar socialist, pas njoftimit qeveritar, duke harruar se gjatë 8 viteve në Bashkinë e Tiranës nuk është ndërtuar asnjë apartament për të pastrehët
TIRANE - Partia Socialiste duket se nuk mund të ndalet nga politika e saj destruktive, si pasojë e mungesës së theksuar të vizionit ideor dhe programor, për çështjet me karakter social në vend dhe që mbeten një shqetësim therës për një pjesë të popullsisë, siç janë të pastrehët. Vendimi i qeverisë për dhënien e kredisë pa interes për 6 mijë familje mbi strehimin e tyre, është konsideruar në mënyrë abuzive dhe pas asnjë lloj etike morali nga PS, si një gënjeshtër e madhe dhe tjetër aferë korruptive.
Nënkryetari i grupit kuvendor në selinë rozë Erjon Braçe tha se “në buxhetin e vitit 2009, qeveria nuk ka asnjë fond për të mbështetur financiarisht, faturën financiare të ligjëratës mashtruese të Sali Berishës, as për interesat, as për principalin, as për kredinë pra, as për shtëpinë”.
Sipas tij, është antikushtetues edhe vendimi për 3500 familje shqiptare që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve.
“Sali Berisha tha se këtyre familjeve ai do t’u paguajë interesat e kredive. Në fakt, këtë Sali Berisha e ka shkruar në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të vitit 2006”, tha Braçe.
Kësisoj, avangarditeti politik-bërës i PS, është i atillë që nga pamundësia për të kontribuar denjësisht dhe në shërbim të interesave të të gjithëve dhe në rastin konkret të elektoratit, për të cilët partia opozitare, kur ishte në qeverisje nuk dispononte në axhendën e saj politikbërëse politika të tilla sociale, për strehimin e atyre në nevojë, siluron qeverinë, nga nihilizmi i tejskajshëm, për shkak të efektivitetit dobiprurës të mirëfunksionimit të politikave të mazhorancës së djathtë dhe e efektit të tyre pozitiv tek popullsia.