E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Shqipëria, vend transit për drogën, të rinjtë përdorin hashash

09/03/2012  Raporti i Departamentit Amerikan: Kufijtë e depërtueshëm, ka luftë modeste kundër trafikut

SHBA-Ende Shqipëria mbetet vend transit i drogës, por autoritetet përgjegjëse për luftën ndaj saj, e kanë shtuar punën. Kjo u bë e ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili publikoi raportin e përvitshëm vjetor për Strategjinë ndërkombëtare të kontrollit të narkotikëve. “Shqipëria po bashkëpunon me fqinjët e saj dhe në nismat rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikikimin e lëndëve narkotike”,-thuhet në raport, i cili e cilëson një arritje në fushën e luftës kundër narkotrafikantëve, rezultatin e moratoriumit të skafeve në vitin 2005. Shqipëria mbetet një vend transit i drogës për Evropën Perëndimore, pasi grupet e krimit të organizuar përfitojnë nga pozicioni i saj strategjik, kufijtë lehtësisht të depërtueshëm të saj dhe mungesën e forcimit të ligjit. Në raport theksohet se Shqipëria ka bërë një progres modest në luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht pasi qeveria shqiptare nuk mund t’i dedikojë shumë kohë apo burime abuzimit me drogën. Rezultat i kësaj është pikërisht fakti se nuk ka një panoramë të qartë të shtrirjes së abuzimit me drogën, megjithëse thuhet se ka një përdorim të madh të hashashit mes të rinjve shqiptarë. Raporti vë në dukje edhe një rënie të kultivimit të marijuanës gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e forcimit të aksionit kundër trafikantëve dhe kultivuesve. Sipas DASH-it, integrimi dhe përmirësimi i institucioneve të sistemit gjyqësor po bëjnë efekt, por progresi është i ngadaltë për shkak të pengesave politike dhe burokratike. Në raport thuhet se me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhuese e drogave të paligjshme. Sipas raportit Shqipëria ka bërë progres modest në luftën kundër narkotikëve. Fushat ku ka më shumë përmirësime janë operacionet e anti-trafikut, kontrollet e kufijve, të cilat kanë çuar në një rritje të numrit të arrestimeve dhe sekuestrimeve të lëndëve narkotike në kufijtë e Shqipërisë në 9 muajt e parë të 2011. Kjo i atribuohet rritjes së përdorimit të analizave të rriskut, si dhe përdorimit të mirë të pajisjeve nga ana e forcave policore. Që prej janarit të 2011, policia shqiptare e shtetit ka arrestuar rreth 507 të dënuar për trafikim të drogës dhe 168 të dyshuar, 96 prej të arrestuarve ishin për trafikim të heroinës dhe 357 për trafikim të marijuanës apo kultivim të saj. Qeveria shqiptare vazhdon të bashkëpunojë me qeverinë amerikane dhe vende të BE-së, nëpërmjet programeve si ICITAP apo dhe OPDAT. SHBA dhe BE kanë shprehur vullnetin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. DASH publikoi raportin edhe për Kosovën. Sipas DASH, qeveria e Kosovës përballet me sfida në luftimin e trafikimit të narkotikëve, për shkak të zonave të pakontrolluara kufitare dhe korrupsionit të mundshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›